Dorëheqja e Lulzim Bashës nuk është shenjë përgjegjshmërie apo përpjekje e mbrame për të ribashkuar Partinë Demokratike. Kush e lexon ndryshe, nuk ka jetuar asnjë ditë me realitetin e politikës shqiptare. Basha po vë në zbatim skenarin e fundit, mundësinë e fundit për të tentuar të qendrojë në krye të Partisë Demokratike, të asaj pjesë, vulën, selinë dhe logon e të cilës ai dhe pak, fare pak mbështetës, vazhdojnë ta mbajnë në mungesë të guximit juridik të gjykatës për të vënë pikat mbi “i”.
“Rezoluta” flakë për flakë e atij që Enkelejd Alibeaj e konsideroi Grupi Parlamentar, ku nuk kishte më shumë se 17 deputetë të pranishëm, zbardhi ndoshta pa dashje një pjesë të skenarit të përgatitur me kujdes dhe jo vetëm nga Basha. Pasi deklaroi dorëheqjen, Basha tashmë me fytyrën e Alibeajt, kërkoi që ti hapet rruga një rikandidimi të mundshëm, por duke eliminuar paraprakisht nga gara Sali Berishën. Ky paragraf i lexuar nga Alibeaj, verteton se realisht, Berisha asnjëherë nuk është konsideruar i përjashtuar nga PD- ja zyrtare. Ndryshe, ç’ kuptim ka ti kërkohet një personi të përjashtuar “perjetësisht” nga PD- ja zyrtare, të mos rikandidojë?
Pjesa më shqetësuese e rezolutës, është tentativa për të tërhequr zvarrë PD- në zyrtare deri pas zgjedhjeve vendore të 2023- it, që sipas Kodit Zgjedhor, zhvillohen në harkun kohor 15 prill- 15 maj të vitit që vjen. Gjatë kësaj periudhe, mes PD- së zyrtare dhe “Foltores” duhet të ndodhë si me magji…bashkimi apo ribashkimi. Po si mund të ndodhë ribashkimi dhe njëkohësisht, të jesh konkurrent i fortë përballë Edi Ramës fuqiplotë në zgjedhjet vendore?! Këtë mund ta shpjegojë vetëm skenari i përgatitur dhe jo vetëm nga Basha.
Nëse ndiqet udhërrëfyesi i “rezolutës”, është e sigurtë se nën drejtimin e Enkelejd Alibeaj, PD- ja në 2023- in, do të koleksionojë humbjen e radhës. Me gjasë, bashkitë që mund të fitojnë, vështirë që mund të kalojnë gishtat e një dore. Dhe kjo, vetëm nëse fluksi i “Foltores” i bashkohet fluksit të PD- së zyrtare të Alibeajt. Si rezultat, në kushtet kur Berishës i kërkohet të mos kandidojë, pas humbjes së radhës vitin që vjen, shikimi i PD- së zyrtare rikthehet sërish nga Basha, i cili kandidon dhe fiton si kryetar i demokratëve. Madje, edhe nëse humbet në zgjedhjet politike të 2025- ës, nuk i kërkohet dorëheqje sepse konsiderohet “humbje e parë” me mandatin e katërt të nisur.
Nga mbrëmja e kaluar, Enkelejd Alibeaj ka marrë atributet e kryetarit të PD- së. Edhe pse me shumë përgjegjësi të tjera politike, një pjesë prej të cilave edhe pa asnjë lloj suksesi (e fundit, i deleguar i PD- së zyrtare për zgjedhjet e 6 marsit në Shkodër), Alibeaj e mori detyrën nga sekretari i përgjithshëm i PD- së Gazment Bardhi. Në fakt, statuti i PD- së, neni 46, pika 4, përcakton qartë se “Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri.”.
Pra, formalisht, duhet të mblidhet organi më i lartë i partisë në mes dy kuvendeve, Këshilli Kombëtar, që të mandatojë nënkryetarin. Mbrëmë, është mësuar se nënkryetarja Jorida Tabaku, ka refuzuar konkurrimin në Këshillin Kombëtar me Alibeajn dhe ky i fundit, automatikisht është kryetar i komanduar i PD- së zyrtare. Në fakt, është shkelje flagrante e statutit të PD- së edhe në këtë rast. Detyra e sekretarit të përgjithshëm Bardhi është të mbledhë Këshillin Kombëtar. Vetëm ky organ komandon nënkryetarin dhe vetëm në këtë mbledhje, ka vlerë juridike tërheqja e Jorida Tabakut nga kandidimi i mundshëm. Vetëm atëherë, qoftë edhe me votim të hapur, me dorë, Këshilli Kombëtar mund të formalizojë Alibeajn si kryetar i komanduar.
Nuk është e vështirë të kuptohet se statuti i PD- së ka një vakuum që duhet mbushur sa i takon zgjedhjet së kryetarit kur jep dorëheqje paraardhësi, siç është rasti i Bashës sot. Si në Kushtetutë apo edhe ligje të tjera organike të institucioneve të shtetit, përcaktohen afate se kur zgjidhet apo emërohet pasuesi i një titullari që jep dorëheqje. Në statutin e PD- së kjo nuk përcaktohet dhe teorikisht, Alibeaj me një copë letër “rezolutë” të dyshimtë në legjitimitet, mund të qendrojë kryetar i komanduar deri sa të përfundojë mandati i Lulzim Bashës, diku nga vera e 2025- ës.
Nëse ju kujtohet, PD- ja zyrtare, pas spastrimeve të partisë së mbetur nga mbështetës të “Foltores”, kishte 4 nënkryetarë. Veç Alibeajt e Tabakut, u graduan edhe Grida Duma e Agron Gjekmarkaj. Këta të fundit, Duma e Gjekmarkaj, dhanë dorëheqje nga të gjitha postet politike pas humbjes së zgjedhjeve të 6 marsit 2022. A ishte pjesë e skenarit që pas dorëheqjes së parashikuar të Bashës, Alibeaj të mbetej automatikisht kryetar i komanduar, pasi të tërhiqej edhe Tabaku?
Së fundit, për të gjithë ata që kërkojnë tërheqjen e Berishës nga kandidimi për kryetar i PD- së, kam vetëm një pyetje të thjeshtë: Më mirë origjinalin apo një kopje të shëmtuar të tij? Në kushtet aktuale, edhe nëse nuk kandidon personalisht, Berisha ka të gjithë mbështetjen e nevojshme të antarësisë që të vendosë në krye të PD- së të preferuarin e tij. Prova më e freskët 6 mars 2022. Imazhi i tij, mundi edhe logon e PD- së zyrtare në të gjitha bashkitë ku u votua. Nuk besoj se në PD duan një Basha bis. 9 vjet ishin të mjaftueshme për ta kuptuar se ishte një model i dështuar. /Nga Blerti DELIJA/