Forcat e Armatosura shqiptare, pjesë e Forcës Detare kanë shpëtuar në detin Egje 53 emigrantë nga Siria, 18 prej të cilëve fëmijë, 12 gra dhe 23 burra. Njoftimin e ka dhënë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka përmes një statusi në ‘Facebook’.
“Sepse Forcat e Armatosura janë më të mirat! Ekuipazhi i anijes “Oriku”, pjesë e Forcës Detare, me mision në detin Egje gjatë patrullimi, pak orë më parë i ka shpëtuar jetën 53 emigrantëve nga Siria. 18 fëmijë, 12 gra dhe 23 burra janë tani shëndoshë e mirë falë kontributit të djemve dhe vajzave tona në Egje. Në 18 muajt e përfaqësimit të Shqipërisë në operacionin e NATO-s në detin Egje, “Sea Guardian”, ekuipazhi shqiptar ka shpëtuar 600 emigrantë. Kemi të gjitha arsyet për tu ndjerë krenarë për burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat në uniformë të Republikës së Shqipërisë! Kam kënaqësinë të ndaj me ju këto foto nga operacioni i shpëtimit sot dhe të ekuipazhit ditën e nisjes për në mision!”- shkruan Xhacka në Facebook.