Tashmë është fakt i kryer: Ankandi i shitjes së 100% të aksioneve të KF Vllaznia sh.a. do të zhvillohet vetëm 4 ditë më vonë, pra më 11 maj. Ka qenë vetë drejtori sportiv i saj Matko Djarmari i cili e ka bërë të ditur këtë gjë në pragndeshjen me Kukësin.
Duke folur për Supersport në lidhje me projektin e tij për të ardhmen, ai tha se gjithcka është e lidhur me privatizimin e Vllaznisë.
“Për momentin asgjë nuk mund të thuhet sepse më 11 maj është ankandi i Vllaznisë dhe klubi pret të mësojë se kush do të jetë pronari i ri.
Si rrjedhojë nuk dihet se kush do të jetë presidenti, nuk dihet se kush do të jetë trajneri, drejtori e me rradhë. Unë personalisht e kam gati projektin tim por për momentin nuk ka asgjë të sigurtë”- është shprehur ai.
Ende nuk ka informacion se cilët janë biznesmenët e interesuar për të blerë Vllazninë, megjithatë duhet pritur edhe 4 ditë para se të zhvillohet ankandi i saj.