Gjatë ditës së djeshme mes dy shqiptarëve të arrestuar në Itali si të implikuar në trafikun e 77 kilogramëve kokainë është Artur Mahmutaj, një emër jo i panjohur për drejtësinë shqiptare.
Artur Mahmutaj ka qenë ish-zëvendësdrejtori i Hekurudhave në Durrës, ndërsa problemet me drejtësinë fillimisht kanë nisur në 2015, pasi në një magazinë në pronësi të tij u zbulua një magazinë kanabisi.
Në janar të 2016 ai u arrestua, por u mbaj në paraburgim vetëm për 3 muaj, pasi gjykata vendosi masën detyrim paraqitje duke argumentuar se nuk është person me rrezikshmëri.
Në vendim thuhej se, vërtet vendi ku u gjet droga ishte në pronësi të Mahmutajt, por pas hetimeve është vlerësuar se ambientet nuk posedoheshin prej tij, por i ishin dhënë me qira shtetasit tjetër, Albano Gjinit. Por gjykata nuk ka marrë në konsideratë dëshminë e Kastriot Dyrmishajt, i kapur në vendngjarje nga policia.
Ai ka deklaruar se ishte punësuar nga Mahmutaj për të ushqyer 3 qen dhe se një muaj para aksionit kishte parë Mahmutajn bashkë me dy persona të tjerë që e kanë ndarë magazinën në dy pjesë dhe më pas kanë vendosur një sobë.
Pas lirimit ai u arratis drejt Italisë duke u bere pjese e bandes se droges. Dje ai u arrestua në Itali si i implikuar në trafikun e kokainës, ndërsa ngrihen dyshime të forta për vendimin e gjykatës së Durrësit që e liroi një vit më parë nga burgu.
Mes të arrestuarve të tjerë në Itali janë edhe Roberto Piano e Massimo Rocca punëtorë ngarkimi në portin e Xhenoas dhe Carmelo Rao 59 vjeç. Ndërsa përpos Mahmutajt u arrestua edhe një tjetër shqiptar Nik Dauti 39 vjeç. Personave të arrestuar u janë sekuestruar dhe 4 makina, 18 telefona dhe 1580 euro.