Apeli i GJKKO shton dënimin e ish kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe, duke e shpallur fajtor atë edhe për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Më parë nga shkalla e parë Tushe ishte dënuar vetëm për shpërdorim detyre dhe lejim të ndërtimeve pa leje, kur u dënua me 2 vite e 4 muaj burg.
Ndërkohë që Apeli sot e shpalli fajtor edhe për akuzën tjetër. Si përfundim Fatos Tushe është dënuar me 5 vite burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimi i tij është 3 vite e 4 muaj burgim.
Ndërkohë që Apeli i GJKKO ka vendosur gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit përfundimisht të shumave monetare të gjetura në shtëpitë e Fatos Tushes, Flamur Peqinit, Gentian Nushit dhe Ilva Billos. Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi dënimet për të dënuarit e tjerë.
Dy vartësit e tij, Flamur Peqini, i dënuar me 2 vite burg e Gentian Nushit, i dënuar me 1 vit e 8 muaj burg u është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite. Edhe për zyrtarët e tjerë janë konfirmuar dënimet, ndërkohë që disa prej tyre janë konvertuar në shërbim prove.