Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me dy vite burg për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Po ashtu vendimi përfshin edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike si dhe konfiskim të pasurisë së ish-kryeporokurorit.
Në një prononcim për mediat avokati Sokol Hazizaj bëri me dije se Llalla ndodhet në regjim spitalor, ndërsa e konsideroi vendimin si të padrejtë. I pyetur mbi vendndodhjen e Adriatik Llallës, avokati tha: “Di që është në regjim spitalor. Gjykata e Shkallës së Parë dhe e Apelit ka bërë copy-paste konstatimet e organit hetimor”.
I pyetur nëse ka dijeni nëse ish-kryeprokurori ndodhet në një spital në Shqipëri, avokati tha: “Nuk kam komunikim për aspekte shëndetësore, vetëm proceduriale, penale”. Sjellim në vëmendje që Adriatik Llalla u dënua me 2 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Disa prej pasurive të tij u sekuestruan dhe i kaluan shtetit. Po ashtu ish-kryeprokurorit iu morën 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.