Këto eliminatore të Euro 2024 do të jenë të paharrueshme për kombin shqiptar. Shqipëria arriti të siguronte kualifikimin për finalet e Gjermani 2024 dhe ‘foleja’ e pathyeshme e kuqezinjve ishte ‘Air Albania’. Në ndeshjet në shtëpi nuk kemi humbur asnjëherë ndërsa mbështetja e tifozëve ka qenë maksimale.
Në të 3 ndeshjet e zhvilluara stadiumi ka qenë ‘sold-out’ me 22.500 tifozë për ndeshje, kështu do të jetë edhe me Ishujt Faroe. Me bindje të plotë thuhet nëpër bisedat e tifozëve se nëse do të ishte e mundur, do të mbushnim pa asnjë problem edhe një stadium me kapacitet akoma më të madh.
Një lajm fantastik vjen nga presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, i cili zbulon se në Tiranë do të ndërtohet një tjetër stadium prej 40 mijë vendesh.
“Falë bashkëpunimit mes qeverisë dhe ministrisë e federatës janë bërë gjithë këto stadiume. Por kur shikoj kur Shqipëria do shkonte në Maqedoni për të bërë ndeshjet sepse Qemal Stafa nuk kishte asnjë standart si stadium.
Po të jap një lajm që shumë shpejt do shikosh një stadium 40 mijë vendesh në Tiranë që do jetë një ndër më të bukurit në Europë. 22 mijë është shumë pak prandaj do e bëjmë 40 mijë sa i Torinos”– u shpreh Ylli.