Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, ka paralajmëruar në një video-mesazh se “armiku është në periferi të kryeqytetit”, duke shtuar se ushtria ukrainase po përgatitet të mbrojë Kievin.
“Forcat tona të armatosura, Forcat e Mbrojtjes Territoriale, po luftojnë heroikisht për të mbrojtur vendin”, tha Klitschko.
“Në hyrjet e qytetit janë vendosur fortifikime dhe postblloqe. U kërkoj të gjithëve të ruajnë qetësinë. Mos dilni jashtë pa pasur nevojë dhe qëndroni në strehimore në rast alarmi”, shtoi ai.
Një kolonë masive ushtarake ruse 60 km e gjatë, e përbërë nga automjete të blinduara, tanke, artileri dhe mjete të tjera logjistike, ka arritur në periferi të kryeqytetit të Ukrainës, sipas imazheve satelitore nga Maxar Technologies.
Në një video-mesazh të mëparshëm, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbrojtja e Kievit është “prioriteti kryesor i qeverisë”.
“Kiev është i veçantë. Nëse mbrojmë Kievin, do të mbrojmë edhe shtetin. Keivi është zemra e vendit tonë dhe duhet të vazhdojë të rrahë”, tha Zelensky.
Duke i bërë jehonë komenteve të presidentit, Klitschko tha se forcat ruse duan të “marrin ‘zemrën’ e vendit të tyre”.
“Ne do të luftojmë dhe nuk do të heqim dorë nga Kievi”, pohoi ai.