Ka shkuar sot në Gjykatën e Krimeve të rënda çështja që zgjoi alarmin e sigurisë, ku 3 pako të dyshimta u zbuluan në Rinas. Pakot ishin nisur më postë për në Londër dhe brenda tyre ishin paketuar të mbështjella armë të tipit kallashnikov. I akuzuar për këtë rast është Sajmir Cullhaj, i cili mohon të ketë lidhje me këtë dërgesë dhe se ishte përdorur nga një shok i tiji. Por, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën “arrest me burg” për Sajmir Cullhaj. Sipas gazetares së “News24”, Klodiana Lala, 32-vjeçari Cullhaj ka mohuar akuzat duke thënë se pakot ia kishte dhënë një mik i tij dhe nuk e dinte çfarë kishte brenda.
“Përmes mikut tim me emrin Tani, që më tha se do çonte pako në Britani, shkova tek DHL për të dorëzuar pakot por nuk e dija se çfarë kishte. Unë shkova me makinën e tij te DHL për të dorëzuar pakot, por kur më arrestoi policia, aty mora vesh që në ato pako kishte armë,” mësohet të ketë thënë Cullhaj.
Një artikull në lidhje me këtë çështje ka shkruar edhe prestigjozja britanike Daily Mail.
“Një komplot për të futur 3 armë të tipit Kallash në Britani nëpërmjet një kutie transporti është zbuluar nga autoritetet shqiptare. Policia dyshon se pjesët e armëve që kishin destinacion të fundit Londrën do të përdoreshin për sulm terrorist ose për krimin e organizuar,” shkruan Daily Mail.