Pas arrestimit në maj 2016 në SHBA të shqiptarit Sajmir Alimehmeti i njohur si “Abdul Qawii” dhe pranimit të tij në gjykatën e Manhatanit se është një mbështetës i ISIS, ka reaguar Prokurori i SHBA -së për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, i cili falënderon Policinë Shqiptare për bashkëpunimin.
Prokurori i SHBA -së për Manhatanin citon se: “siç e pranoi në gjyq sot, Sajmir Alimehmeti bëri tentativa për të udhëtuar jashtë vendit për të mbështetur fushatën e terrorit të ISIS-it. Ai bleu gjithashtu armë luftarake dhe ndihmoi një person tjetër që të gjente dokumente udhëtimi, pajisje dhe teknologji koduese (enkriptimi) për të luftuar me ISIS-in në Siri.”
Alimehmeti, 24 vjeç, banues në Nju Jork, rrezikon të dënohet deri në 25 vjet burg. Berman dhe O’Callaghan lavdëruan përpjekjet e jashtëzakonshme të Task-Forcës së Bashkuar ndaj Terrorizmit të FBI-së në Nju Jork, e cila përbëhet kryesisht nga agjentë të FB-së dhe detektivë nga Policia e Nju Jorkut.
Berman falënderoi Seksionin e Kundërterrorizmit në Divizionin e Sigurisë Kombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Zyrën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Policinë e Shtetit të Shqipërisë dhe Komandën Kundër Terrorizmit në Shërbimin e Policisë Metropolitane të Londrës, Mbretëria e Bashkuar.
Nderkohe, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, vlerësoi strukturat e Drejtorisë së Anti-terrorit për bashkëpunimin me partnerët e SHBA-së në këtë çështje./balkanweb/