Policia italiane ka vënë në pranga dy shqiptarë pasi akuzohen si kokat e një bande trafiku droge. Dy të arrestuarit janë Besnik Dauti, 38-vjeç, dhe Artur Mahmutaj, 37.
Dy shqiptarëve iu sekuestruan 75 kg kokainë e zbarkuar në portin e Gjenovës. Mediat italiane raportojnë se droga fillimisht do të shkarkohej në Itali dhe më pas do të shpërndahej në vendet e tjera europiane.
Ishte pikërisht një anëtar italian i bandës i cili spiunoi tek policia italiane shqiptarët duke zbuluar se si funksiononte rrjeti i trafikut të drogës. Përgjimet dhe ndjekjet e tij çuan në zbulimin e gjithë bandës. 45 vjeçari, Massimo Rocca, zbuloi informacione të vlefshme për policinë italiane.
Drejtuesit kryesorë të kësaj bande cilësohen dy shqiptarët e arrestuar, ndërkohë ata koordinoheshin me një tjetër person, me emrin Rao. Ky i fundit nga verifikimet e bëra rezultoi që ishte personi i cili do të merrej me transportimin e drogës. Dy shqiptarët tashmë janë në paraburgim në pritje të dënimit.