Policia e Shkodrës, bashkë me Forcat RENEA dhe FNSH, kanë arritur të arrestojnë pak më parë shtetasin Lulzim Rakaj, i dyshuar si autori i plagosjes së dyfishtë në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe.
Dyshohet se Rakaj ka qëlluar në drejtim të shtetasve Besmir Çofi dhe Avenir Hasanaj, të cilët janë transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës për të marrë ndihmë mjekësore ku ky i fundit, është në gjendje më të rëndë shendetësore.
Ndërkohë lidhur me këtë ngjarje, në oren 14.30 ka patur një komunikim për mediat nga zëvendësdrejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Akil Kalo.
Malësi e Madhe
Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të dy shtetasve në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe.
Pas ngjarjes së ndodhur paraditen e sotme në fshatin Vrakë, në hyrje të një lokali, ku shtetasi Lulzim Rakaj, tentoi të vriste me armë zjarri shtetasit Besmir Çofi, dhe Arben Hasanaj, të cilët mbetën të plagosur, dhe më pas shtetasi Lulzim Rakaj, u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete dhe armën e zjarrit, shërbimet e Policisë menjëherë u vunë në ndjekje të tij.
Nisur nga fakti që autori ishte i armatosur, në ndihmë të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të Komisariatit të Malësisë së Madhe, shkuan Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe dy grupe të Forcave Speciale Renea, për të bërë të mundur neutralizimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë Shërbimet e Policisë Kufitare morën masa për bllokimin e kufirit me qëllim mos lejimin e largimit drejt Malit të Zi, të autorit të dyshuar.
Pas afro tre orë ndjekjeje dhe kontrollesh, Forcat Speciale Renea, në zonën e ballkonit të Tamarës, lokalizuan dhe rrethuan autorin e dyshuar duke i bërë thirrje që ai të dorëzohej.
Shtetasi Lulzim Rakaj, nuk i’u përgjigj thirrjes për dorëzim, por tentoi disa herë që të dilte nga rrethimi duke përfituar edhe nga koha e keqe me rreshje shiu dhe nga zona e pyllëzuar, por nuk ka mundur dot të largohet dhe pas disa minutash në rrethim është kapur e vënë në pranga.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e zonës për të gjetur armën e zjarrit, të cilën shtetasi Lulzim Rakaj, dyshohet se e ka fshehur kur ka parë Forcat Speciale Renea që e kishin rrethuar. Ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin ligor të këtij rasti.