Është arrestuar në Cassano d’Adda të Milanos, Mark Marku, një nga personat e përfshirë në një aksident tragjik në Borizanë të Krujës natën e Krishtlindjeve më 2010.
Aksidenti solli si pasojë vdekjen e dy motrave, 6 e 12 vjeç, dhe të vëllait të tyre, 9 vjeç. 34-vjeçari Marku, i cili ishte në listën e Interpolit, ndodhet aktualisht në burgun e San Vittores, në pritje të ekstradimit për në Shqipëri raporton syri.net.
Në fakt, nga lajmet e asaj kohe, mësohet se shkaktar i aksidentit ishte babai i tre fëmijëve, i cili ishte në gjendje të dehur, pas darkës së Krishtlindjeve në shtëpinë e prindërve, dhe ngiste me shpejtësi të madhe makinën e tij, duke goditur fatalisht makinën e Markut.
Ky i fundit u shoqërua nga policia më 27 dhjetor 2010, për t’u lënë më pas i lirë, ndërkohë që tani do t’i duhet të sqarojë pozicionin e tij para gjyqtarit në Milano, në pritje të ekstradimit apo të lirisë. /express/