Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shodër, pas sigurimit të informacionit se një shtetas që banonte në fshatin Mali i Jushit, në Bushat, Shkodër, posedonte një arsenal armësh dhe dyshohej se po përgatitej për t’i shitur ato te shtetas me precedent kriminal, të cilët dyshohet se do t’i përdornin armët për të kryer krime ndaj personit dhe pronës, menjëherë kanë organizuar punën në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Vaut të Dejës dhe në kuadër të operacionit “Guns”, kanë ndërhyrë në banesën e 43-vjeçarit Aleksander Ibraj.
Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një arsenal armësh, konkretisht:
1 snajper, 1 pushkë, 1 pistoletë, 1 armë gjahu, 2 armë sportive, 1 palë dylbi dhe municion luftarak për të gjitha llojet e armëve të gjetura në banesë.
Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, shtetasi Aleksander Ibraj nuk është gjetur në banesë, ndaj është shpallur në kërkim. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u procedua penalisht në gjendje të lirë nëna e shtetasit Aleksander Ibraj, shtetasja L. I., 73 vjeçe.
Strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Ndërkohë vijon puna për kapjen e poseduesit të arsenalit të armëve, shtetasit Aleksander Ibraj.