Nga Andi Bushati
Ka një sekuencë filmike domethënëse, që po aq shpejt sa doli, po me atë shpejtësi u zhduk nga ekranet. Teksa parlamenti ishte tym edhe flakë, teksa ministrat po mbroheshin nga garda, teksa deputetët po përgatiteshin të votonin pa karta elektronike, teksa kandidatja për kryeprokurore, e veshur solemnisht me një kostum të errët dhe me një këmishë të bardhe, po priste të betohej, njëri nga badigardët e qeverisë i vuri asaj mbi kokë një çadër, për t’a mbrojtur nga sulmet e opozitës.
Mjafton ky episod i shkurtër, tashmë i fiksuar në celuloid, për të shpjeguar më mirë sesa lumej të tërë fjalësh, atë që ndodhi në parlament, në seancën farsë për zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm.
Mjafton ai për të shpjeguar se kush e zgjodhi, kush e mbron dhe nën çadrën e kujt do të punojë zonja Marku.
Sepse për kryeprokuroren e re, të porsazgjedhur, ka një pyetje të thjeshtë: A kishte në dorë ajo të paktën të shtynte seancën e betimit? A kishte në dorë, ashtu siç do të bënte edhe njeriu me dinjitetin dhe respektin më minimal për veten, të kërkonte që të mos deklaronte « Betohem » në atë situatë ? A kishte ajo në dorë të rrefuzonte të kryente aktin më të rëndësishëm të jetës së saj, në një parlament të shndërruar në një arenë lufte ? A kishte ajo në dorë mos shkelte në atë sallë me deputetë që përplaseshin me njëri- tjetrin dhe me socialistë që nuk denjonin as të votonin të ulur ? A kishte në dorë, jo të rrefuzonte të betohej, por thjeshtë të kërkonte pak kohë, një situatë me normale dhe me solemne? A kishte në dorë të priste edhe pak dhe të mos përdorej si një kamikaz kundër opozitës, për t’i thyer asaj hundët, pikërisht në momentin kur e donte Edi Rama ?
Fakti që kryeprokuroren e parë që u zgjodh pas miratimit të reformës në drejtësi e « rrëmbyen » si një çupulinë të trafikuar për ta nxjerrën në vitrinën e karshillëkut kundër opozitës, flet shumë.
Me këtë seancë urgjente betimi ata që e organizuan përdhosën intergritetin e saj më minimal, ndërsa ajo vetë, na tregoi se çmund të presim në të ardhmen.
Arta Marku mbylli kështu ciklin e plotë të përdorimit.
Ajo fillimisht iupërgjigj thirrjes vetëm të njërës palë për të konkuruar si kryeprokurore e përkohshme. Pastaj pranoi të bënte shoë përpara komisionit të ligjeve vetëm me socialistë. Ndryshe nga sa parashikon thelbi I reformës në drejtësi, ajo pranoi të bëhet drejtuesja e institucionit të akuzës, pa kaluar vettingun dhe pa shumicën e cilësuar (vetëm me 69 vota) prej 84 deputetësh që kërkon kushtetuta.
E gjithë trajektorja e saj e ditëve të ditëve të fundit, që nga propozimi vesh më vesh që I bëri Ulsi Manja e deri tek përplasja si një trofe lufte në vitrinën e përdalë të parlamentit, e meriton fundin që pati. Ajo nuk tregoi pikë fuqie apo vullneti që të mos sillej si e kapur, e përdorur, e marrë peng. Prandaj, tani, kur gjithçka ka përfunduar nga përqeshja dhe turpi mund ta mbrojë vetëm çadra e bodigardëve të rilindjes.