Ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare, një nga piktorët më të mirë shqiptar, Pjerin Sheldija, i njohur edhe si “Mikelanxheloja i Shkodrës”. Ai është edhe autori i mbi 200 afreskëve në mbi 35 kisha në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Itali dhe në Angli. Pikturat e tij, ndodhen sot në Vatikan dhe për kontributin e dhënë, Papa Benedikti i 16 e ka nderuar Sheldinë, ‘Distinktivin e Kryqit të Shenjtë për Kishën dhe për Papën”.
Biografia e piktorit:
Mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija lindi në lagjen Arra e Madhe të Shkodres (afër shpisë së Pashko Vasës) me 9 korrik 1937, në një familje të njohun katolike e qytetare shkodrane. Filloren e nisi në shkollën e Jezuitëve, ma vonë 11 Janari, e mandej në atë Ndoc Mazi. Qysh i vogël ai dha shejat e para të talentit për pikturë të cilën ja kultivoj ma ndej mësuesi i tij i vizatimit Luigj Sheldija (jo i fisit të tij), e ma vonë piktorja Nelda Gera që e pat drejtuese të rrethit të vizatimit në Shtëpinë e Pionierit në Shkoder, e cila e këshilloj që të ndiqte studimet për pikturë në Liceun Artistik në Tiranë.
Mbasi mbaron shkollën fillore, për nevoja ekonomike familjare, Pjerini, punoj për një periudhë të shkurtë si mekanik pranë Fabrikës së Çimentos në Shkoder. Gjatë kësaj kohe hyni në kursin e pikturës në Shtëpinë e Kulturës në Shkoder, të cilin e drejtonte piktori i njohun Vladimir Jani (i cili kishte studjue në Firence me mësuesin e famëshëm Feliçe Karena), që ka pasë ndikim të madh mbi piktorët shkodranë, si njeri dhe artist. Në këtë kurs pat shumë elementë të talentuem si Selim Bilali, Ferdinand Paci, Tefë Palushi, Rudolf Daka, Gjovalin Saraçi etj. disa prej të cilëve u banë ma vonë përsonalitete të artit e të kulturës kombëtare. Nga Vladimir Jani, kursantët e pikturës mësuen, përveç vizatimit, tekniken e aquarelit dhe të bojnave të vojit.
Përpara se të fillonte mësimet në Liceun Artistik, Pjerini së bashku me Bahri Jubanin krijojnë Repartin e Pikturës në Kooperativen e Fotografisë në Shkoder, që ishte i pari laborator shtetnor i këtij llojit, për të plotësue nevojat e agjitacionit figurativ të qytetit.
Në vitin 1956, ai filloi mësimet në Liceun Artistik të Tiranës ku pat mësues Abdullah Eminin (Cangonji), Abdurrahim Buzën (drejtori i Liceut) në Pikturë e Skenografi, Kel Kodhelin në Përspektivë, Janaq Paçon e Kristina Hoshin në Anatonmi, Andrena Menon në Histori Artit, Sadik Kacelin në Pllakatë. Nexhmedin Zajmi, Shaban Hadërin e Guri Madhin në vizatim.
Me kryerjen e Liceut në vitin 1961 (me një nderprerje për të kryer shërbimin ushtarak), u emerua mësues në Shkollen Pedagogjike të Shkoders. Gjatë periudhës së mesimdhanies ai punoj në disa shkolla të Shkodres si mësues vizatimi: në Shkollën Ndoc Mazi, Shkollën 10 Korriku, në Institutin e Lartë Pedagogjik (për ciklin e ulët). Kudo që punoi, krahas mësimdhanies së vizatimit krijoj dhe drejtoj rrethet e pikturës me nxanësit ma të përzgjedhur të shkollave, deri në vitin 1992 kur doli në pension.
Krahas punës si mësues ai punonte pa ndërprerje edhe vizatime, piktura e karikatura, merrte pjesë në ekspozita të ndryshme lokale e kombëtare si dhe të botonte punimet e tija (vizatime e karikatura) në organet e shtypit të kohës si: gazeten Jeta e re (gazetë e Shkodres), Mësuesi, Puna, Bashkimi, Revisten Shqiptarja e re, Revisten Ylli, Hosteni, ku ka marrë edhe çmime kombëtare. Në Konkursin Kombëtar të organizuar në 20 vjetorin e revistës Hosteni, ai meritoj çmimin e dytë.