Gazeta franceze “Le Temps” ka botuar të dielën e 9 prillit 1939, në faqen numër 2, reagimet e shtypit suedez mbi pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.
Aurenc Bebja ka sjellë për lexuesin shqiptar reagimet e “Stockholms Tidningen”, “Dagens Nyheter” dhe “Social Demokraten”:
“Shqetësimet suedeze
Flitet në Stokholm:
Duke komentuar ngjarjet në Shqipëri, i gjithë shtypi vë në dukje, me zemërim dhe shqetësim, se në një kohë të shkurtër tre shtete të pavarura janë sulmuar brutalisht.
Pa dyshim, shkruan “Stockholms Tidningen”, gazetë liberale, Suedia nuk është Shqipëria. Por Evropa, në cilën Suedia bën pjesë, ka ndryshuar në mënyrë dramatike.
Gazeta liberale, “Dagens Nyheter”, deklaron se Italia ka kopjuar në mënyrë servile, për Shqipërinë, proçedurat hitleriane ndaj austriakëve dhe çekëve. Sipas kësaj gazete, “pushtimi i Shqipërisë kërcënon të minojë të gjithë mbështetjen e kërkuar nga Z. Chamberlain në Ballkan për sistemin e tij të ri të sigurisë dhe për të arritur këtë rezultat Italia nuk ka hezituar të shkelë marrëveshjen me Anglinë.”
Nën titullin: “Musolini feston të premten e shenjtë”, Social Demokraten shpërthen egërsisht ndaj bombardimeve të qyteteve shqiptare, “gjë që dëshmon – thotë ajo – se sa e rëndësishme është për popujt e pavarur, si Spanja, të jenë të kujdesshëm ndaj sigurisë së miqësisë fashiste.”
Gazeta nuk u jep asnjë rëndësi shpjegimeve zyrtare të Romës se pushtimi i Shqipërisë është diktuar nga shqetësimet e sigurisë. Ajo beson se Shqipëria do të shërbejë si bazë për veprime të mëtejshme kundër Jugosllavisë dhe pjesës tjetër të Ballkanit.”.