“Komunizmi mbetet ende prezant në të tashmen e Shqipërisë, por provat janë mjeti më i fortë që kanë sot historianët në duar për të sjellë një panoramë të qartë të Shqipërisë në ato vite”. Kështu e nisi diskutimin e tij sot historiani Bernd J. Fischer në simpoziumin e organizuar nga IDMC mbi qasjen aktuale studimore ndaj komunizmit, i konceptuar si forum shkëmbimi përvojash e idesh.
Fischer tregoi përpara të pranishmëve sfidat që sjell puna me dokumentet duke paraqitur detaje nga dy raporte ai gjerman dhe ai amerikan që kanë studiuar atë periudhë, të prodhuara nga ekspertë të huaj, përkatësisht raporti i Vermaht-it mbi Shqipërinë, dhe studimi i Jacobsonit. Sipas raportit 50 faqësh të Vermaht-it data e largimit të gjermanëve nga vendi ynë ka qenë 4 dhjetor 1944, por Fischer nuk u ndal gjatë në këtë pike sepse sipas tij vendosja e datave historike për ngjarje të tilla ka qenë gjithmonë një vendim politik edhe në shtete të tjera.
Raporti amerikan prej 250 faqesh ofronte informacione të ndryshme, ndër të tjera edhe për kushtet e burgjeve, proceseve gjyqësore etj. Kurse raporti gjerman sipas tij prekte shumë çështje të mprehta, ndër to edhe aspekte sociale siç ishte mungesa e aksesit ndaj shërbimit shëndetësor për 80 % të shqiptarëve.