E përzgjodhëm jo ras tësisht për të bërë një analizë mes dy pretendentëve kryesorë për në duelin për titull. Xhevahir Sukaj e ka thënë shpesh se e ka zemrën të ndarë mes Vllaznisë dhe Partizanit, por kur e pyet se cila shpallet kampione, atëherë nis të mendohet më gjatë sesa kur gjuante një penallti vendimtare.
“Vështirë të bësh parashikime me saktësi, – thotë ish-bomberi shkodran. – Vllaznia është favorite, por Partizani ka më shumë kualitet. Ah, se për pak harrova: Kujdes Laçin. Janë të frikshëm”. Ai ka luajtur me të dyja ekipet dhe ua njeh pikat e forta, ashtu si edhe dobësitë.
Në intervistën për “Panorama Sport” Sukaj i jep 40% shanse Vllaznisë, ndërsa pjesën tjetër e ndan mes Partizanit (30%) dhe Laçit (30%). Mandej nuk kursen edhe një batutë: “Po të kishte Vllaznia një Sukaj në formë, as që do ta diskutonte kampionatin…”.
Dueli i titullit është fokusuar te Vllaznia dhe Partizani. Çfarë ju pëlqen më shumë nga Vllaznia dhe çfarë nga Partizani?
Vllaznia doli spontanisht pretendente dhe kjo më ka krijuar shumë habi, por më jep edhe kënaqësi. Asnjë nuk e ka pritur këtë. Vllaznia ka treguar se ka bërë një futboll shumë më të bukur se ekipet e tjera. Vuajti vetëm në ndeshjen me Partizanin, por për fatin e mirë të saj doli me pikë. Gjatë gjithë këtij kampionati e kam parë në vështirësi vetëm kundër Partizanit. Kjo i ndodh edhe Barcelonës dhe jo më Vllaznisë…
Folëm për atë çka ju pëlqeni dhe çka vlerësoni. Çfarë nuk ju pëlqen te këto dy ekipe?
Mungon një sulmues goli te të dyja. Po ta kishte Vllaznia një Sukaj në formë, atë që ka luajtur para disa vjetëve… (qesh).
Shkodranëve u duhej një lojtar më i fortë, që ekipi kundërshtar ta ketë frikë sulmuesin e Vllaznisë sepse kryeson kampionatin. Një skuadër që e pretendon këtë duhet të ketë sulmuesin më të mirë të kampionatit, por për momentin nuk e ka, por nuk e shoh as te Partizani një bomber. Është mangësi për të dyja ekipet.