Kjo vepër muzikore që u luajt në Festivalin e Lubjanës është krijuar nga Jetmir Zaganjori… ‘Anosmia-n’, kompozitori i ri e ndërtoi mbi pandeminë dhe Përfaqësoi me të Vox Baroque Shqipëri… U performua gjithashtu në ngjarje të tjera ndërkombëtare të muzikës si Belgrade Music Center Festival , Kotor Art Festival , Chopen Festival dhe Dubrovnik Summer Festival.
Është rreth të 30-tave, por vepra muzikore ka më shumë se sa vjet jetë. Të shumta i ka edhe vlerësimet brenda e jashtë vendit… ndonëse deri para pak ditësh ka punuar si kamerier. E takojmë këtë fillim gushti për të na rrëfyer më shumë mbi muzikën e jetën e tij…
Në Shkodrën ku lindi, kompozitori i ri, tingujt muzikor nisi t’i lexojë si harmoni të shpirtit. Prej moshës 6-vjeçare ai dialogonte përmes melodive në pianoforte.
I është mirënjohës figurave të para që ndihmuan në formimin e tij, e liceut artistik “Prenk Jakova”, ku notë pas note nisi të fitojë siguri… Kujton me nostalgji kur duart e tij prekën pianon e Prenk Jakovës, falë famijares sw tij Rudina Jakovës.
Nga të luajturit muzikë, në krijimin e saj u deshën mbi një dekadë leksione e përkushtim. Për pranimin në Universitetin e Arteve, ai i besoi për veprën e parë muzikës klasike…
Me muzikologun Vasil Tole, si pedagog udhëheqës, tradita do të zinte rrënjë në krijimtarinë e muzikantit të ri.
Që në përfundim të studimeve në 2018-ën, do të nisnin vlerësimet e para për krijimtarinë e tij… ku ishte pikasur autenticiteti i muzikës të folklorit, harmonia klasike e teknika kontemporane.
Pas baletit “Ballkan Express”, një vit më vonë konsolidon formimin në Irlandë dhe prezanton atje veprën e tij për pianoforte “Muji, Halili dhe Zana’ të frymëzuar në Eposin e Kreshnikëve.
Po në 2019-ën, Akademia e Kompozicionit në Tiranë e udhëhequr nga Thoma Simaku, do të hapte një derë më shumë për të. Që të komunikonte muzikën e tij, dhe për më tepër vepra e tij ‘Agony’ të luhej nga klarinetisti i njohur francez Jérôme Comte.
Në mbyllje të vitit 2022 u vlerësua në konkursin Çesk Zadeja. U përzgjodh ndër tre më të mirët në kompeticionin ndërkombëtar për Flaut dhe Klarinet të DIapfonia Edizioni në Itali.
Është fitues i konkursit të kompozicionit George Stenhanescu me ‘Legjendën e Mujit’ këtë vit, ndërsa kompozimi i tij mbi Vallen e Rrajces prformohet në Ëestern Balkan Orchestra si vepër fituese.
Ka kaluar mbi një dekadë kur Zaganjori e nisi kompozicionin me 10 kolegë të tjerë. Këtë vit, kjo degë rrezikon të ketë vetëm një student. Ai vet pavarësisht angazhimit dhe evidentimit si talent e përçues i folklorit në muzikë, është i papunë.
Ndonëse ndjen keqardhje për situatën, thotë se artistët në Shqipëri nuk mbështeten.
Ka kompozuar gjatë kësaj dekade pavarësisht lodhjes e orëve të gjata në punë. Thotë se kjo është jeta, ëndrra e tij. Në muzikë ka Shqipërinë, të kaluarën, traditën, modernen, të sotmen. Por, të ardhmen, ende s’po e gjen në vendin e tij. /Nga Anila DEDAJ/