Në mbledhjen e senatit, rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u bëri me dije gazetarëve të pranishëm lajmin e mirë se ne kemi arritur të stopojmë rënien e numrit të studentëve të regjistruar për vitin akademik 2024-2025.
Deri në këtë fazë, pra në prag të fillimit të Raundit III të regjistrimeve (10-25 tetor), ne kemi të regjistruar 925 studentë, ndër të cilët janë edhe 12 studentë nga Trojet. Asnjë program studimi nuk do të mbyllet në Universitetin e Shkodrës.
Rektori renditi drejtimet, të cilat do të jenë thelbi i reformës për planin strategjik të reformimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, duke theksuar idenë e një roadmap-i që do të na drejtojë për të avancuar me planin strategjik.
Duke filluar nga kjo periudhë, deri në fund të nëntorit, do të ketë reformim të programeve të studimit, por mund të avancohet edhe me programe të reja. Kjo u përket diskutimeve në njësitë bazë.
Oferta akademike do të jetë e ndryshme duke filluar nga ky vit. Kjo ofertë do të orientohet nga studentët, si dhe do të ketë programe studimi të orientuara nga tregu i punës. Mund të ndërhyhet dhe mund të ketë edhe bashkim të programeve të studimit, por rritja e numrit të programeve jo domosdoshmërisht mund të na çojë në rritjen e numrit të studentëve.
Sivjet do të ketë rritje të financimeve, të grantit të mësimdhënies dhe grantit kërkimor. Ky është një angazhim i Ministres së Arsimit dhe Sportit, i cili u artikulua në Konferencën e Rektorëve.
Ka nisur reforma e burimeve njerëzore në administratë për të respektuar dhe për rikthyer zbatimin e ligjshmërisë, aty ku është cenuar ligji, më pas kjo reformë do të vijojë, rast për rasti, edhe për personelin akademik. Institucioni do të rrisë peshën e vet, sa i takon shërbimeve për të tretët. Rëndësi të madhe do të kenë çështjet e ndërsiplinaritetit dhe ndërkombëtarizmit.