Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, ka qenë i pranishëm në stërvitjen e parë të kuqebluve për përgatitjet për pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës. Ai ka folur për planin e skuadrës për të ardhmen dhe merkaton e cila do të ketë një orientim tjetër, ndonëse presidenti insiston se që tani Vllaznia ka emra “big” mes atyre që ka afruar.
“Sot është dita e parë, ekipi ka filluar procesin e përgatitjeve për Ligën e Konferencës, ku ne do të mundohemi padyshim që të prezantohemi sa më mirë e mundësisht të kalojmë turin e parë. Më pas të diskutojmë për vijimësinë. Siç jeni në dijeni, kanë ndodhur ndryshime, bëhet fjalë për një Vllazni e cila përgatitet për sezonin e ri, kemi ndryshime që nga kupola drejtuese, drejtori sportiv, trajneri, zëvendëstrajneri, presim të plotësohemi me përgatitësin atletik. Dhe po presim gjithashtu edhe për të bërë një ristrukturim të akademisë së Vllaznisë. Objektivi është të optimizojmë rezultatet, duke përmirësuar sezonin e kaluar i cili them se nuk ka qenë i suksesshëm, pavarësisht se u arritën Kupat e Europës në minutat e fundit. Por në përgjithësi sezoni nuk ka qenë në nivelet që kam pritur dhe ka dalë jashtë pritshmërisë. Kjo na ka dhënë mundësinë që të bëjmë një analizë, të shohim defektet që kemi pasur dhe ka ardhur momenti që Vllaznia të vazhdojë projektin e ri për sezonin e ardhshëm.
Pse Memelli? Kanë qenë në diskutim disa kandidatura, kemi qenë në diskutim me disa trajnerë të ndryshëm dhe në fund pas propozimit të drejtorit teknik, unë kam miratuar kandidaturën e trajnerit Memelli, duke pasur parasysh CV e tij si lojtar në radhë të parë. Më ka pëlqyer karakteri i tij, ndershmëria e tij, që është element shumë i rëndësishëm, kam marrë reagime të mira edhe nga skuadra që ka punuar më përpara. Me një frymë të re, me një djalë të ri po e quaj Memellin, por me energji të reja, Vllanzia e sezonit të ardhshëm duhet të jetë shumë luftarake, punëtore e kokulur, të luftojë që të marrë rezultate deri në minutën e fundit.
Sipas projektit të ri që më ka prezantuar drejtori, ideja është që të krijojmë një Vllazni luftarake, skuadër që të prodhojë futboll të bukur dhe të luftojë deri në minutë të fundit. Në këtë kontekst, ardhja e tre lojtarëve në moshë 23-vjeçare do i shërbejë kubit në të dy aspektet, në arritjen e rezultateve e pastaj edhe transferimit të tyre në të ardhmen. Ashtu si edhe lojtarëve të akademisë që po përfshihen te ekipi siç është Alivoda, Smajli apo 2-3 të tjerë që do të vijnë nga strukturat. Do i japim mundësi edhe Delajt, afrimi i tre të rinjve në pozicionet që kemi pasur nevojë, do t’i shërbejë ekipit.
Mendoj emrat që kemi marrë janë ‘big’ për Vllazninë se mendoj se do të jenë lojtarë që do të shpërthejnë te Vllaznia. Ne na intereson puna e tyre, nuk na intereson shumë fama e asnjërit prej pjesëtarëve të Vllaznisë, në punën që kanë për të bërë, kanë për t’u bërë ‘big’, jam i sigurt.
Ne kemi bërë negociata me të gjithë lojtarët, edhe me ata që kemi pasur, si edhe Gurishta. Mendoj se janë pjesë që deri në fund të qershorit do të merret vesh e gjithë organika, se me 1 korrik duhet të jemi gati për eksperiencën në Ligën e Konferencës. Por merkato është e hapur deri në fund të gushtit, ne do të shfrytëzojmë nëse kalojmë turin që të shohim nëse mund të bëjmë . Deri më 31 gusht do të jemi kantier i hapur.
Ka disa lojtarë që u ka mbaruar kontrata dhe nuk vlen afrimi i tyre në stërvitje me kontratë të mbaruar. Ka pasur edhe leje prej 2-3 lojtarësh që nuk kanë pasur mundësi të vijnë që sot. Por atyre që u ka mbaruar kontrata janë pjesë e negociatave si me lojtarët e rinj, të shohim vijimësinë.
Po presim nga data 20-21 të bëjmë një fazë parapërgatitore diku. Jemi në negociata në Serbi, Austri apo Bullgari. Po negociojmë dhe do bëjmë një fazë 10-12 ditore, pastaj do vijë ekipi se kemi ndeshjet që vijnë menjëherë.
Sinani është pjesë e jona, e Vllaznisë. Do të shohim mundësinë që brenda strukturës tonë, ndoshta te paratërinjtë të jetë mundësia, se thjesht kemi bërë një ndryshim brenda familjes.
Objektivi titull? Ne na intereson të gjithëve, mua më intereson më shumë se të gjithëve se përveç pasionit tim është edhe investimi. Vllaznia do të hyjë gjithmonë për këtë synim, titull, Kupë apo Europa. Kjo është e padiskutueshme”, tha Xhaferi.