Unë jam Sokol Drrasati. Më 23 dhjetor 1990 jam akuzuar për veprimtari armiqësore, organizim të protestave të dhunshme me qëllim rrëzimin e pushteti popullor me dhunë dhe diversion ideollogjik. Dhe jam dënuar me vdekje.
Drejtues i grupit hetimor në atë kohë ka qenë Qemal Lame. Torturat që më janë bërë mua dhe shokëve të mi Paulin Gjompali, Hysen Kullolli, Zamir Faja, Ardian Rragami, Paulin Ndosha, Sokol Ndoja, Zef Colombi, Roland Prela, vëllezërit Haxhi, Artur Meshi, Gjovalin Paplekaj etj., etj., e mbi 400 të rinj shkodranë që u arrestuan ato ditë, variojnë nga torturat më çnjerëzore,
1-Fikja e cigareve në pjese të ndryshme të trupit.
2-Rrahja me bishta lopatash brinjëve gjersa thyheshin.
3-Goditja e gjymtyrëve të poshtme me shkopinj gome.
4-Futja në rreth dhe goditje në seri nga grupi i sampistëve.
5-Dhuna psikologjike duke filluar me dënimin me vdekje si dhe internim të familjes.
Mbi trupat dhe mendjet tona janë edhe sot shenjat e dhunës fizike dhe psikologjike të ushtruar nga grupi hetimor ku kryesues ishte Qemal Lame. Shkodra e njeh mirë Qemal Lamen. Ai erdhi në Shkoder në janarin e 1990- ës duke hetuar këdo që arrestohej apo thjesht ndalohej në atë periudhë për shkaqe politike.
Emrin e tij e kam dëgjuar për herë të parë me 17 janar 1990, për ta ridëgjuar me 16 qershor në varrimin e Pëllumb Pëllumbit i cili u vra duke kaluar kufirin. Ndërsa fytyrën e tij e kam parë për herë të parë në dhjetorin e 1990- ës. Ai emër dhe ajo fytyrë nuk harrohet dot. Ata sy të akullt prej krimineli nuk kam për t’ i harruar kurrë.
Jam liruar nga burgu më 4 korrik 1991 falë ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të Sekretarit Amerikan të Shtetit James Becker. i cili i kërkoi Ramiz Alisë lirimin e të gjithë të dënuarve politikë që vuanin dënimin në burgun e Spaçit. Po të mos ishte për këtë ndërhyrje, ju sot do të më njihnit si i riu 19 vjeçar që u pushkatua se rrëzoi në Shkodër bustin e Enver Hoxhës dhe Qemal Lamen si njeriu që thjeshtë po bënte detyrën… Ne po duam t’ ju falim por ju nuk jeni penduar për asgjë! /Publikuar në Facebook nga Sokol DRRASATI/