Një atentat ka ndodhur ditën e sotme në Torino, ku objektiv i eleminimit fizik ka qenë një 48-vjeçar shqiptar. Mediat italiane bëjnë me dije se 48-vjeçari është qëlluar me armë zjarri ndërsa ishte brenda një makine në zonën e Via Saorgio në rrugën Venezia.
I plagosuri, i cili thuhet se është në gjendje të rëndë për jetën, u dërgua në spitalin Molinette, ku po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Të shtënat janë regjistruar rreth orës 11.30 të mëngjesit të sotëm dhe personi që ka qëlluar është arratisur nga vendi i ngjarjes. Dëshmitarët kanë treguar se autori ka qëlluar tre herë, por vetëm dy plumba kanë kapur shqiptarin që ndodhej në makinë. Ata kanë treguar se para se të dëgjonin të shtënat, i kanë parë dy burrat duke u grindur me njëri-tjetrin.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.