Kamerat e sigurisë në zonë ku u ekzekutua ish- deputeti i Shkodrës dhe ish- kryekomunari i Velipojës Pashko Ujka, kanë arritur të filmojnë autorin e ngjarjes së rëndë.
Policia e Shkodrës i ka sekuestruar menjëherë pas ngjarje dhe i ka parë ato. Autori dallohet por është shumë e vështirë të identifikohet. Kjo për shkak të errësirës rreth orës 18.15 kur u qëllua i ndjeri Ujka.
Deri tani sipas policisë së Shkodrës, dyshohet vetëm për një autor por sigurisht, ai nuk mund të ketë vepruar i vetëm. Ujka mori një plumb me pistoletë me silenciator në pjesën e shpinës dhe fillimisht u tha se është jashtë rrezikut për jetën.
Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe familjarët bënë thirrje për dhurues gjaku, duke nënkuptuar se gjendja e tij ishte e rëndë. Mjekët e futën në sallën e operacionit dhe sipas informacioneve jozyrtare, Ujka ka pësuar arrest kardiak duke humbur jetën.
Ditën e sotme, nisur nga lajmet në media, familja Ujka ka dalë edhe me një sqarim. “Nisur nga lajmet në media per vrasjen e Pashko Ujkes, të afermit e tij sqarojnë se nuk është e vërtetë që ai të jetë plagosur, kercënuar apo qëlluar shtepia gjatë kohes kur ka qënë deputet apo kryetar i komunes Velipojë. Gjithashtu nuk i ka pasur borxhe financiare dhe as mosmarrveshje per çeshtje ndertimesh”, konfirmojnë të afermit e të ndjerit Pashko Ujka.
Në deklarimet e para në polici, bashkëshortja e të ndjerit deklaroi se nuk ka dëgjuar asnjë krismë. Ajo ka parë ti rrëzohet para syve përtokë bashkëshorti, duke menduar ndonjë problem me zemrën. Vetëm kur ka parë gjakun, ka kuptuar situatën e të ndjerit. Ndërkohë, policia ka qenë sot sërish në vendngjarje me shpresën e gjetjes së provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes së rëndë. /ShkodraWeb/