Luiza Gega nuk ka ndër mend të ndalet. Atletja shqiptare po kalon një formë të shkëlqyer dhe këtë e ka treguar përsëri sot në Krajova të Rumanisë ku është shpallur Kampione Ballkani në garën e 3000 metrave me pengesa.
Ka qenë vetë atletja e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka treguar arritjen e saj të fundit, me një rekord të ri të vendosur që po pasuron edhe më shumë një karrierë të jashtëzakonshme sportive.
“Kampione Ballkani, Rekord Kampionati në garën 3000m me pengesa me kohën 9.17.91 (koha ime e dytë më e shpejtë. Shumë e lumtur për fitoren, për ndjesinë e mirë gjatë garës dhe më e motivuar se kurrë për objektivat e radhës.
Faleminderit nga zemra të gjithë që vazhdojnë e mbështesin rrugëtimin tim”, shkruante Gega përkrah fotos me medaljen e fitueses.