Ashtu sikundër kishte paralajmëruar gazetari i Bild, Peter Tiede ka publikuar të tjera përgjime nga blerja e votës në zgjedhjet e vitit 2017. Në përgjime gazetari gjerman ka publikuar një bisedë të përgjuar të kryeministrit Edi Rama gjatë procesit në zgjedhjet e Dibrës.
Më herët, gazetari gjerman Pieter Tiede ka shkruar një status në profilin e tij në “Facebook”, ku shkruan se qeveria e Shqipërisë sa duket do që të arrestojë kreun demokrat Lulzim Basha, në mënyrë që të heqë vëmendjen nga përgjimet.
“Sapo kam dëgjuar se qeveria e Shqipërisë po konsideron të mundshëm arrestimin e kreut të opozitës Lulzim Basha. E gjitha kjo bëhet që qeveria të heqë vëmendjen nga skandali i blerjes së votave në zgjedhjet e vitit 2017. BILD nuk ndalet dhe do të publikojë sërish fakte.
Pyetja është, a kërkon qeveria të arrestojë çdo ditë politikanët e opozitës për të tërhequr vëmendjen nga përgjimet? Sidoqoftë ne nuk e lejojmë veten që të nxitojmë, por bazohemi vetëm në fakte”, deklaron gazetari gjerman Tiede.
Gazetari i BILD Pieter Tiede shkruan në fund se siç ka lajmëruar, sot pasdite do të bëjë të ditura të tjera fakte sesi janë vjedhur zgjedhjet e vitit 2017.
Në fillim të muajit, “Bild” publikoi përgjimet mes Astrit Avdylajt, pjesë e grupit kriminal të Shijakut, me Kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, por edhe zyrtarë të tjerë të administratës në Qarkun e Durrësit.