Këto ditë, në një portal të letrave shqipe, u shfaq një artikulli i Auron Tares, i titulluar “Mite të rreme”, kushtuar asaj çfarë ai e konsideron veprimtari poliagjenturore të dy shkrimtarëve desidentë Ernest Koliqit dhe Martin Camaj. Kam studiuar me vemendje përpilimin prej 37 faqesh të tij, me kuriozitetin e një njeriu, që ka lexuar me dhjetra letra private të Koliqit dhe Camajt, që nuk njihen nga publiku i gjerë dhe që kërkon të mësojë diçka më shumë edhe për anët e padukshme të jetës personale të këtyre gjigandeve të letrave dhe të kulturës shqiptare.
Si burime faktike për argumentimin e hipotezës së tij, autori ka përdorur dosjen numër 456 të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Drejtorisë së Dytë me dokumenta edhe të Drejtorisë së Tretë të Sigurimit të Shtetit, përgatitur nga ky institucion për dekada me radhë për shkrimtarin Martin Camaj. Dokumentacioni fillon me arrestimin e tij në vitin 1948 dhe përfundon në vitin 1990. Po ashtu, Tare ka përdorur në mënyrën e tij edhe një numër dokumentash të deklasifikuara, që gjenden online të CIA-as.
Le ta nisim vlerësimin e koleksionit prej mënyrës se si i ka përdorur zoti Tare burimet shqiptare. Së pari, konstatoj, që autori ka shkëputur veç disa dokumente/fragmente nga përreth 163 fletë dokumentacion, duke mos e vlerësuar dosjen në tërësi. Së dyti, konstatoj, se ai nuk zotëron dhe nuk njeh rregullën bazë të leximit të dokumentit si burim parësor, shqyrtimin me sy kritik të tij, si dhe nuk e ka të qartë, se një studiues kur merret me dokumentin, ka në vetëdijen e tij disa pyetje bazore të gatshme, që i bën vetes për të qenë profesionalisht korrekt në analizë. Për shembull, ai duhet të pyes, cili është sfondi personal i autorit të tekstit, në këtë rast, të rreth 42 punonjësve operativë të Sigurimit, që janë marrë me përpunimin e të dhënave të Martin Camajt nga sektorë të ndryshëm në 42 vite ? Nga cili pozicion funksional shkruajnë operativët? Cila është linja e argumentimit të fakteve të mbledhura? Mbi çfarë burimesh informative janë të bazuara parashtrimet e dokumentave? Cili është opinioni personal i studiuesit mbi vërtetësinë dhe kapacitetin e burimeve? Cilat konkluzione të autorit të tekstit dokumentar janë të justifikuara dhe cilat janë të pajustifikuara? Cilat janë linjat kryesore të mendimit të autorit për dokumentin e shkruar? A duhet të fillojë shpjegimi i dokumentave mbi misionin e autorëve të dosjes dhe institucionit, që ato përfaqësonin, apo duhet t’i marrim si të mirëqena, si shëmbullore, kombëtare demokratike, sjelljet e hordhive të armës së besueshme të partisë? A ka bërë një vlerësim kompleks të dosjes autori i kompilimit?
Mirëpo shkrimi që pretendon të jetë kërkim, mbetet në nivelin diletant, për sa i përket metodës të hulumtimit. Ngjan që autori, jo vetëm nuk e njeh teknikën e studimit të një teksti, por ai ka dëshirë të pamatë ta paracaktojë, me pasionin e një urrejtësi dhe mohësi, fatin e subjekteve të targetuara. Gjithshka kumtohet në titullin e paracaktuem: “mite të rremë”.
Për të ndërmarrë një shkrim me pretendime të tilla, autori do të duhej të zotëronte njohuri të veçanta historike mbi kërkimin e ndërmarrë, të cilat do ta ndihmonin, në qoftë se ai ishte i sinqertë dhe serioz, për të përftuar detajet. Si mundet një autor serioz të ndërmarrë një studim nisur nga dyshimet dhe hamendësimet e formuluara në “kuzhinën” e ish-Sigurimit të Shtetit dhe në shtratin e familjeve, që bashkëpunuan në vrasjen e shqiptarëve të Kosovës 70 vite më parë, se komuniteti katolik i Shqipërisë ka luajtur në çdo kohë një rol reaksionar në jetën e kombit dhe shtetit shqiptar dhe detyrimisht, dy shkrimtarët e mëdhenj, që ky komuniteti i ka dhënë kombit, janë pjesë e agjenturës ndërkombëtare?! Nisur nga ky paragjykim, ai ka ndërtuar një shashkë me synime denigruese ndaj dy prej figurave më të rëndësishme të elitës shkodrane, pikërisht në kohën kur e vërteta shkencore historike ka sfumuar injektimet e falsifikatorëve të shkencës puniste. Mirëpo, Tares i është ngarkuar një detyrë për të kryer dhe ai e ka bërë me mundësitë dhe devocionin e tij, si pasardhës i pandryshuar i një veterani të një lufte palavdi kundër Shqipërisë së Mirëfilltë.
Vërej me keqardhje, se në të gjithë shkrimin e zotit Tare nuk ekziston një regest i plotë i dokumenteve të përdorura, që është alfa e studiuesit të historisë. Ka veç copëza, por jo një vlerësim në detaje të burimit historik. Shkrimi nuk ka një koncept organizimi dhe është shkruar jashtë mendimit, pasi kur shkruan një punim, duhet të merren parasysh karakteristikat e burimit, autorët që në rastin konkret janë (Kapisyzi, Proko, Josifi, Zika, Hodo, Shkodrani, Malo, Zahaj, Laçi e sa e sa oficerë të “armës së dreqit”), si dhe dokumentat me të cilat je duke e bërë shqyrtimin.
Punimi nuk ka një strukturë formale. Ka veç hipoteza fillestare në lidhje me komplikimin e Camajt me Sigurimin dhe UDB-në, të paformuluar seriozisht, të cilat Tare, vetvetiu, i hedh poshte vetë, me ose pa vetedije, pas faqes 20. Artikulli nuk ka një faqe titulluese dhe asnjë përmbledhje konkluzive për të qartësuar lexuesit.
Por jo vetëm kaq. Kur njihesh me dosjen kupton, se e gjithë fabula e ngritur nga autori keto ditë mbi Camajn e Koliqin është një falsifikim i mirëfilltë dhe një mashtrim publik i skajshëm. Deklaroj me përgjegjësi publike se, Dosja e Martin Camaj është një Dosje Personi nën Hetim me datën 5 maj 1948, që vijon me 10 maj me një deklaratë aderimi si bashkëpunëtorë, por duke qenë se Martin Camaj sapo del nga Dega e Punëve të Brendshme Shkodër, përgatit dhe realizon ikjen brenda 3 muajsh, kjo dosje, nga 9 korriku 1948 shndërrohet në një dosje të një elementi armik. Nga viti 1958, dosja vijon e klasifikuar si e një personi në kërkim, me dyshimin se Martin Camaj është vendosur në shërbim të UDB-së, akuzë e rëndomtë për çdo të arratisur nga Shqiperia në Jugosllavi. Dosja është e klasifikuar si A2, që do të thotë person në ndjekje. Në dosje nuk ka asnjë dokument, që kompromenton aktivitetin jetësor të Camajt. Atëherë, pyetja që bëj është : Kush është ky studiues, që arrin të bëjë një veprim të tillë manipulues duke mos pasur fakte dhe prova? Dhe si është e mundur, që ai nuk ka frikë nga ligji dhe kundërpërgjigja që familjarët e Camajt dhe Koliqit mund ta çojnë çështjen në organet e drejtësisë?! Mund t’ju them, se ekzistojnë zero evidenca shkencore dhe faktike, që mbështesin përpjekjen e zotit Tare.
Leximi i dokumentëve të prodhuara në Shqipëri është i mjaftueshëm për të kuptuar nivelin kulturor dhe profesional të operativëve të Sigurimit, që janë marrë me përpunimin e informacionit për gati 42 vite. I mahnitshëm niveli i padijes, paaftësisë profesionale, paranojës dhe paragjykimit të oficerëve të lartë të “armës ës lavdishme të Partisë”, të përbërë nga funksionarë, që jetojmë në hamendje, të cilët nuk marrin asnjë gjë të vlefshme, as për sigurinë e shtetit diktatorial, por veç përpunojnë thashetheme të rëndomta të dhjetra informatorëve dhe informacione të padobishme mbi veprimtarinë shkencore dhe atdhetare të Martin Camaj, Koliqit, në Romë, Kalabri, Mynih, Bukuresht, Innsbruck, Vjenë.
Kur lexon dokumentet dhe ndjek fillin e mendjeve të përçydnuara të oficerëve të fanatizuar dhe të pa-arsimuar të Drejtorisë së Tretë shikon qartë, se gjykimi i tyre ka ende gjurmë dhe trashigimtarë në ditët e sotme.
Pyetja që dua të bëj është kjo: A mund ta përceptojë dot mendja e një «përpiluesi» portalesh, formësuar në shkollën e urrejtjes ndaj katolicizmit shqiptar, se cili ishte misioni i dy gjenive të kombit ?
Qartazi kemi të bëjmë me diletantizimin e një misionari ndaj një shërbimi ende të paidentifikuar të sotëm, por që përdor me vrazhdësi gjithë bagazhin e shkollës së operativëve të Zonës, të grupimit që ndërtoi nga viti 1945, të gjithë projektin e çmontimit të kontributit të Gegnisë në Shqipëri. Një artikull i ndërtuar mbi hamendësime dhe mbi frymën e identifikimit të patriotizimit dhe besnikërisë shtetërore me atë të mbrojtjes së regjimit të PPSH-së. Fabulë e rënë prej kohësh kur Shqipëria u çlirua nga frika e Bllokut.
Autori disponon të dhëna të pamjaftueshme për të arritur në konkluzionet e tij rroposëse. Asnjë dokument nuk disponohet nga autori, se Camaj në Jugosllavi ushtronte aktivitet për llogari të UDB-së, ose se largimi i tij nga Jugosllavia ishte i lidhur me një mision të ngarkuar nga ky shërbim në mërgatën shqiptare në Romë apo në Mynih. E njëjta mund të thuhet edhe për pjesën që bën fjalë për të ashtuquajturin rekrutim nga sherbimet amerikane dhe gjermane. Çmenduria e operativëve shkon deri aty sa ta konsiderojnë Sud Ost Institute në Mynih, si një krijesë e shërbimeve të fshehta amerikane. Raportet e vitit 1973 përpiqen ta konsiderojne veprimtari agjenturore deri edhe marrëdhëniet akademike të profesor Camajt me albanologun Olberger të Universitetit të Innsbruck-ut, Dr, Schwanken e Institutit të Lindjes në Vjenë, profesor Hasan Kaleshin e Uni Prishtinës, Prof. Georg Stamuller-in e Universiteti i Mynihut, Erich Han-in e Universiteti i Chicagos, etj.. Martin Camaj është ndjekur gjatë gjithë kohës nga sigurimi si përpunim 2/A.
Burimet e koduara të informacionit, që kanë survejuar Camajn do t’i japim në një moment të dytë.
Ku është fillesa e mashtrimit dhe e fallsfikimit të së vërtetës?
E gjithë teza e Tares është ngritur mbi hamendësime të paprovueme dhe të mbështetura vetëm në një letër firmosur nga Camaj, në një institucion të tmerrshëm sikurse ishte Sigurimi i Shtetit shqiptar, para të cilit janë dorëzuar formalisht ose thelbësisht, shumë prej viktimave të projektuara, pa ushtruar aktivitet. Ndërkohë del krejt qartë, se Camaj pak ditë pas firmosjes ia ka arritur t’ua hedhë operativëve, të largohet me grupin e 37 shqiptarëve të drejtuar nga Gjon Destanisha, ndaj edhe gjithë përpjekja rekrutuese e Fadil Kapisyzit, operativit të parë që e targetoi, dështoi, dhe Sigurimi nga kjo datë vetëm, se përpiqej ta gjurmonte ku ndodhej dhe çfarë bënte Camaj gjatë 42 viteve me radhë.
Kalojmë në fazën e dytë: Emigracioni në Jugosllavi. Pyetja tjetër, që bëjmë është : A mund të ecet ende me mendjen e oficerëve të dikurshëm të Sigurimit, se martesa me gra sllave është një mëkat trathtie ndaj kombit shqiptar dhe sigurisht mëkatari duhet paragjykuar, survejuar dhe siguruar, mbasi ai detyrimisht është rekrutuar tanimë nga UDB-ja ? Ky është arsyetimi i autorit për gati 20 faqe të artikullit. Ai e gjykon ende sot Jugosllavinë e Titos me mendjen e njeriut te edukuar në familjet e kufizuara brenda korrnizave të shkollës së Enver Hoxhës.
E pamundur, që një historian të ndërtojë një tezë mbështetur mbi paragjykime kulturore dhe racore. Mund të jetë një pistë hetimi shumë interesante, studimi i ditëve të errëta të emigracionit në zyrat e UDB-së, por bashkëpunimi që pretendon autori në asnjë rast nuk është vertetuar, përderisa nuk disponohen dokumente të shtetit jugosllav në lidhje me Camajn. Zoti Tare duhet ta dijë, se të gjithë emigrantët politikë të arratisur nga Shqipëria, kanë qenë nën mbikqyrjen e rreptë të Ministrisë së Brendshme Jugosllave dhe nën asistencën financiare jetësore të shtetit gjegjës, sikurse në mënyrë të ngjashme ka ndodhur me të gjithë të arratisurit e tjerë nga Jugosllavia në Shqipëri. A ka qenë një mbijetëse e lehtë për emigrantët, çlirimi prej kthetrave të UDB-së ? Absolutisht jo ! Kanë qenë ditë po aq të zeza mbijetese sa në Shqipëri. Disa ia arritën të çlirohen me shumë vështirësi, të tjerë nuk ia dolën kurrë nga kapja në kurth e bishtit, por Auron Tare nuk disponon asnjë provë se Martin Camaj mbeti nën kthetrat e shërbimit jugosllav. Vetë sigurimsat, në dosjen në fjalë, raportime të tilla nga agjentët i konsiderojnë të pasigurta. Por kjo nuk ndodh me studiuesin Tare. Ai prozhmon sepse e ka të paracaktuar konkluzionin.
Nga ana tjetër duhet të kujtojmë, se nga vitit 1949 Jugosllavia e Titos u vendos në rreshtin e parë të përpjekjeve për përmbysjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe sikurse ka ndodhur në çdo rast të kundërshtive të luftrave civile në Shqipëri, jugosllavët, si mish për top, kanë përdorur të ikurit politikë nga ky vend. Prandaj, Komiteti i Prizrenit ka qenë normalisht një organizim i emigracionit politik, me bekimin e sponsorizimin e shtetit të Titos dhe në funksion të qëllimit për ndryshimin e regjimit hoxhist, që i kishte hapur portën Moskës për të dalë në Adriatik. Por, detyrimi për t’u regjistruar në këtë rreshtim nuk përbën ndonjë kompromentim agjenturorë. Camaj ishte një gjeni, që kuptonte fatet e ardhshme të emigrantëve në një vend, që ç’montimin e shqiptarëve e kishte objektiv të pandryshuem nga fillesa.
Largimi i Martin Camaj nga Beogradi drejt emigracionit në Perëndim ka qenë e vetmja rrugë, që kanë ndjekur të gjithë shqiptarët e arratisur nga Shqipëria e Veriut ne Jugosllavi. Vetë letra e tij për Malokin dhe Sheldinë, është një kërkesë ndihme për të ikur nga kthetrat ku ndodheshin të gjithë refugjatët në Beograd. Ky është një fakt i mirënjohur. Nxjerrja e letrës së Camajt jashtë Jugosllavisë per t’u postuar nga Vilach, Austri, një qytet shumë pranë kufirit slloven, nga ana e shërbimeve amerikane, është një provë për këtë. Ikja nga ferri i shërbimit të fshehtë jugosllav ishte një domosdoshmeri për fatin e secilit të arratisur, aq më tepër për një intelektual si Martin Camaj, që premtonte majat e udhëhëqësisë intelektuale për të ardhmen. Letra dërguar Lazer Sheldisë është provë për të kundërtën e asaj çfarë pretendon Tare. Qartazi, me dokumentat që kemi në dispozicion, Camaj u ka rrëshqitur dhe nuk ka pranuar t’u nënshtrohet dy shërbimeve të dy vendeve komuniste Shqipërisë dhe Jugosllavise. Ai ikën sërish, sepse e dinte fatin që e priste, në qoftë se do të qëndronte pak me gjatë në Jugosllavi. Rasti i profesor Rizës ishte kuptimplotë. Ardhja në Itali e Camajt ishte veprim i logjikshëm për të shpëtuar nga makthi i ditës së shkëmbimit të dy regjimeve simotra, që urreheshin dhe flirtonin njëkohësisht, në dëm të një Shqipërie normale dhe natyrale.
Ernest Koliqi, personaliteti më i rëndësishëm i botës shqiptare në Romë (ishte larguar përfundimisht nga Shqipëria pas emërimit si Kryetar i Përfaqësisë Diplomatike Shqiptare- Delegat i Qeverisë së Tiranës, pranë qeverisë së Romës me datë 29 prill 1943 dhe jo siç thotë Tare, se Koliqi u largua nga Shqipëria në fund të Luftës së Dytë Botërore) u bë referenti kryesor për çertifikimin e mërgatës desidente shqiptare, luajti rolin e garantit edhe për Camajn, të riun saverian nga Dukagjini. I bazuem në kodet shqiptare të nderit, besës, mikpritjes ai priti Martinin, mbasi tek ai pikasi gjeninë dhe njeriun e panjollë të maleve shqiptare. Këto kode tradicionale të të parëve tanë, nuk mund t’i kuptojë dot përpiluesi ynë. Nga ana tjetër, duhet të pranojmë, se dyshimet në çdo rast shoqërojnë çdo ardhje të re në mërgatën e përçarë, por Camaj dha prova, se i përkiste një formati të dlirët, atij të formësuar në zemrën dijetare të shqiptarisë, në Shkodër, në shkollën më të mirë, që kishte pasur Shqipnia e Parë, në zemren e besës e nderit të Dukagjinit, të cilat nuk i njohin anëtarët e ortes së edukimit përbuzës. Camaj ishte formuar në Kolegjin Saverian, pikërisht aty ku ka qenë formuar një plejadë e lavdishme shqiptarësh të shquar nga Gegnia dhe Toskënia, duke filluar me vëllezërit Konica.
Autori mbetet nga fillimi në fund, thjesht një stërhollues fillestar dokumentesh, që nuk di t’i lexojë, që e fillon fabulën e tij me ngatërrimin e regjioneve etnografike të Gegnisë, për të cilat, siç duket, nuk ka asnjë njohuri. Por nuk është vetëm kjo ngatërresë kulturore, që e çatrafilon arsyetimin e Auronit. Ai vijon keqkuptimin e tij të paracaktuar me përkufizimet, që ai bën për Bllokun Kombëtar Indipendent dhe misionit të të përkohshmës kulturore dhe shkencore shqiptare, revistës Shejzat.
Tare pretendon, se Blloku Kombëtar Indipendent ishte një krijesë e shërbimeve të fshehta perëndimore, një krijesë e CIA-s.
Në faqen 20, përpiluesi nxjerr një dokument, që Koliqi kishte kontakte me shërbimin sekret amerikan, italian dhe gjerman. Autori është kaq konfuz sa kujton, se shërbimi sekret gjerman i Hitlerit vijonte edhe në Gjermaninë e denazifikueme. Ndërkohë, raporti amerikan është i shkruar nga një njohës jo i mirë i historisë së ndërlidhjes së pjesës më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare shqiptare me themelimin e shtetit të njohur ndërkombëtarisht në vitet ( 1913-1914). Është një raport joesencial, por që autori e bën tërkuzë, pa arritur që ta zbërthejë.
Zoti Tare, Ernest Koliqi ka lindë dhe ka jetu si “atdhetar, idealist, puntuer i pashoq, prozator i zgjedhun, poet i lem, mbi të gjitha i ndershëm, madje tepër i ndershëm për këtë botën t’onë të bastardhueme e të prishun” (Karl Gurakuqi). Ai ishte përfaqësues i lartë politik i organizatës me të rëndësishme pro perëndimore shqiptare në emigracion, që kishte si objektiv përmbysjen e regjimit në Shqipëri dhe normalisht, që ishte në kontakt me shërbimet e specializuara perëndimore, që paralelisht operonin në të njëtin sens, së paku nga pikëpamje përgatitore. Ju duhet të dini, se BKI lindi si modeli politik i konservatorizimit modern europianist të shqiptarëve dhe jo si krijesë agjenturore. Anëtarë e kësaj partie politike, nga dita e parë e themelimit, u vendosën në mbrojtje të kombit, lirisë së tij, mbrojtjes së kulturës kombëtare, rikthimit të kushtetutshmërisë dhe demokracisë, europianizimit dhe konfimimit praktik politik të këtyre vlerave kulturore politike në botën shqiptare, brënda Shqipnisë nën okupacionin e bandës së dirigjuar nga Moska. Blloku ka qenë grupimi politik ma serioz, ma intelektual dhe ma i qartë në përcaktimin e përspektivës së ardhshme demokratike shqiptare. Qënia e Prof. Ernest Koliqit, Dr. Ismail Verlacit, Gjon Marka Gjonit, Prof. Namik Resulit, Kolë Bib Mirakaj e intelektualëve e patriotëve të tjerë në berthamen drejtuese të këtij grupimi, ose në sfondin mbështetës moral, ka qenë ndër garancitë kryesore të këtij pozicioni të admirueshëm. Themeluesit e Bllokut vinin nga vise dhe mjedise të ndryshme politike, por të gjithë kishin të përbashkët dhimbjen për familjet që vriteshin, burgoseshin e internoheshin nga regjimi, që Tare e merr si etalon matës të patriotizmit.
Themelues të BKI kanë qenë: Gjon Marka Gjoni, Ndue Gjonmarkaj, Qazim Mulleti, Dr. Xhemil Dino, Nebil Dino, Prof. Sotir Kozmo, Kapiten Asllan Libohova, Pandeli Papalilo, Luigj Gjergjola, Safa Vlora, Jak Koçi, Dr. Eduard Liço, Dr. Ismail Vërlaci, Prof. Ernest Koliqi, Nexhmedin Vrioni, Dr. Xhelal Mitrovica, Prof. Namik Resuli, Don Frano Karma, Kapiten Jorgji Ruço, Kapiten Kapllan Libohova, Theofan Qesari, Dr. Kadri Myftiu, Dr. Lin Shkreli, Prof. Stefan Gazulli. Ata kishin perspektiva krejt të qarta demokratike dhe oksidentale mbi Shqipërinë e nesërme, të çliruar nga sllavo-komunizmi dhe një konceptim krejt paqësor të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare. “Ndjekja e kultit të vlerave tradicionale”, “nderimi i personalitetit njerëzor”, “institutit familjar”, “i lirive shoqnore e politike”, “respektimi i të drejtës së pronësisë private”, “i të drejtës së popullit për vetvendosje politike” “karakteri laik i shtetit dhe nderimi i lirisë së ndërgjegjes”, “ndalimi i hakmarrjes politike në kushtet e një tranzicioni politik nga diktatura komuniste drejt demokracisë” etj., janë shtyllat mbi të cilat mbështetet programi politik i Bllokut për Shqipërinë e neserme postkomuniste.
Do të doja të analizoja pikërisht filozofinë politike, që udhëhoqi BKI dhe drejtuesin shpirtëror të kësaj partie, profesor Ernest Koliqin.
Themeluesit e BKI kanë besuar historikisht në vlerat perëndimore të promovuara në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, fillimisht nga Austria dhe më pas nga Italia. Ata kanë qenë modernë në mbrojtje të së shkuarës dhe krijues në mbrojtje të traditës. BKI lindi si alternative politike neo-nonservatore, e thënë ndryshe, e konservatorizmit reformator, karshi partive tradicionale të së djathtës shqiptare, pak a shumë arkaike të emigracionit dhe si kundërshtare e vendosur ndaj komunizmit revolucionar mbisundues në Shqipëri dhe në Tokat e Okupueme në Jugosllavi. Në qoftë se duam të gjejmë fillesën e BKI brenda historisë së pluralizmit politik shqiptar, mund të themi, se ajo për model fillestar ka pasur Opozitën Shkodrane të viteve (1920-1924).
BKI u themelua në kohën kur në vendin amë, të gjitha institucionet që u themeluan nga etërit e kombit për të mirën e pasardhësve, u shkatërruan ose u sekuestruan nga një grup politiko-krahinor aventurierësh gjysëm të shkolluar, që u vendosën në shërbim të agjenturave të vendeve, që kishin luftuar prej dhjetra vjeçarësh përkundër interesave të formësimit dhe konsolidimit të Shqipnisë.
Mendimi Koliqian ka kenë bazë e konceptimit të platformës politike e BKI: Desidencë e vetëdijshme për vlerën e kujtesës, për një sistem real europian i qeverisjes në Shqipninë e çlirueme nga komunistët, një konceptim qytetar i organizimit, drejtimit të partive politike. Qytetaria për të ishte kushti themelor i shoqërizimit në jetën civile demokratike, për njerëzit, që jetojnë në një shoqëri konsensuale individësh sovranë dhe kjo ka qenë alfa e bazës analitike të Koliqit dhe pasuesve të tij, ndër të cilët Camaj ka një rol kryesor. Bëhet fjalë për një kulturë civike, një sens i procesit politik i përqasshëm me lidhjet kombëtare, që lind vetvetishëm dhe mbështet vendin, mënyrën e jetës dhe trashëgiminë e institucioneve dhe ligjeve me të cilat ishte i lidhur fati i qytetarit shqiptar dalë nga procesi i shtetformimit. Dhe në qoftë se ne bëjmë një krahasim të bazës teorike të mendimit koliqian të mishëruar në partinë politike që ai bashkëthemeloi, ne gjejmë në fakt, një strukturë dhe platformë të pozicionimit politik mjaft të avancuar, të cilën e lexojmë ndër ideologët e neo-konservatorizmit britanik. Koliqi, Camaj dhe BKI u ngritën kundër diskriminimit të Gegnisë dhe katolicizmit në mënyrë posaçme nga regjimi i Zonës së Parë, që Tare e identifikon ende sot me patriotizmin dhe Shqipërinë. Shkatërrimi i komuniteteve të lira, goditja e aktivitetit të qendrave të organizimit civil, kulturor në Shkodër, ndërtuar prej shekujsh nga Kisha Katolike, përbënin ndër veprat ma të randa regresiste, që komunistët e djeshëm dhe ithtarët e sotëm të kamufluem kanë bërë ndaj kombit shqiptar në rrugën qytetnuese dhe europianizuese. Koliqi dhe Camaj i përkasin atij formimi dhe grupimi të elitës shqiptare, që shpëtimin e kombit shqiptar e shihnin në një kulturë moderne perëndimore, të ushqyer dhe brumosur prej virtyteve arbnore. Baza orientuese e aktivitetit politik dhe kulturor të Koliqit dhe rrethit të tij në Perëndim u bë Rikthimi i Kujtimit të Shqipërisë Tradicionale të zhdukur nga regjistri i edukimit të rinisë prej komunistëve.
Kemi të bëjmë me intelektualë të mirëfilltë, që pas nji jete të trazueme në vendin e vet, të gjendur përherë pakicë elitare, e shtypun në mënyrë të kamufluar dhe të hapun në Shqipni, sidomos pas kaosit politik të Luftës së Dytë botërore, që përfshiu mëmëdheun, vendosën sërish të jenë aktiv dhe shërbenjës ndaj vendit, jo vetëm kulturalisht, por edhe politikisht.
Dhe pyetja është: Cilat janë arsyet pse shkrimtari Ernest Koliqi vazhdoi të përfshihej në politikë, edhe pas zhgënjimeve të mëparshme politike, por edhe gabimeve që ai i njeh vetes? Përgjigjen për këtë e marrim nga vetë Ai. Në një letër që mban datën 21 maj 1951, Ernesti shprehet:
“Çdo vepër e ime, ç’se kam marrë mend e shise, i âsht kushtue lulzimit të shqiptarizmit të vërtetë, i cili, për mue, rrâjet e themelet i ka në kulturën e në traditat t’ona. Kam mujtë me gabue, ndoshta shpesh edhe randë, sepse kush vepron bje lehtazi në gjymtime. S’asht mjeshtri m’u paraqitë i pafajshëm kur rrin njeríu n’ansi të plotë e të vazhdueshme. Ai qi nuk vepron, s’ban mirë as keq. Ndiç, deshta të tham, qi ndoshta ndonji herë kam gabue, por prej zellit të tepruem e prej bindjes se ashtu e lypte e mira e vendit. Sidoqoftë, kur të fashiten pasjonet dhe perdja t’u ulet atyne qi sot gjikojnë jo mbas fakteve por mbas interesave fazjoze politike, atëherë do të dali në shesh se Ernesti në kohën kritike dishka bâni për kulturën shqiptare…… Dikush me këshillon me hjekë dorë nga politika. Ky këshill nuk rrjedh nga një ndjesí e thjesht : Mbas sa miqësh e dashamirësh të vrám, në kët gjendje tragjike në të cilën ndhdhet i kaperthyem vendi i ynë, derisa të drejtat má të para njerzore mos t’i këthehen vllazënvet t’onë të nji gjaku e të nji gjuhe, do t’ishte krim m’u hjekë në njánë e m’u marrë vetëm me letërsí. Më mjafton me pa Kapidanin e Mirditës qi humbi dy djelm si dy hyj drite, Kolë Bibën qí la në malet si flȋje n’elterë të Shqipnís djalin e vllán, e plot tjerë, për m’e ndie veten të detyruem me punue pa u lodhë për lirimin e popullit tonë. Kjo e sotëshmja nuk âsht nji fushatë politike me rrëzue nji qeverri ; kjo âsht kryqzatë kombëtare me shpétue fisin e bâshkë me té pasuninë shpirtnore të trashigueme. Si mundet nji intelektual m’u mënjanue e me qindrue indiferent pas së keqës së pashoqe qi na ka zanë nën palë si individ e si pjestarë të nji kombi ? Prandej, si këshill tash e marr parasysh vetëm kur të lirohet Shqipnija. Sot, i armatosun me vullnet e me flakë ardhetare, e nduej për detyrë të luftoj edhe në fushën politike”.(Letërmëmbim në Mërgim i Karl Gurakuqit, Vellimi I, Romë, 21.V.1951). Ernest Koliqi ishte lider politik dhe nuk mund të ishte në asnjë rast një informator i thjeshtë i sherbimeve. Ai ishte negociator, Ministër i jashtëm, Minister i kulturës, lider i desidencës, një prind që kujdesej emigrantët politikë, një kujdestar për kolegët e mbetun pa atdhe. Ai ishte personaliteti më i besueshëm i kancelerive, shërbimeve diplomative dhe agjencive të inteligjencës perëndimore, që interesoheshin për Shqipërinë dhe çështjet shqiptare. Ai u kujdes për të gjithë ne jetën e vështirë dhe me privacione jetësore në Itali, ashtu sikurse u kujdes për grumbullimin e fondeve për ngritjen e Shejzave. Me dhjetra letra kam lexuar për përpjekjet e tij per t’i siguruar bukën e përditshme ajkes së kombit të mbetur rrugëve të Italisë.
“Blloku Indipendent” nën udhëheqjen e Koliqit e miqve të tij të ngushtë e të pandarë (bërthama kryesore dhe më e spikatur e tij kanë qenë e përbërë prej 10 personaliteteve), bëri përpjekje e veprimtari konkrete për çlirimin e vendit, në bashkëveprim të drejtëpërdrejt me shqiptarët e Kosovës së emigracionit të mbledhur rreth “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, “Legalitetin” dhe me pjesën e matur dhe atdhetare të “Ballit Kombëtar”, atë të paprekurën nga ajo, që Ernesti e quan pjesa e prekur nga kanceri i shërbimeve të fshehta të vendeve komuniste. Ky është një indikacion që Ernesti ka filtruar gjithshka dhe të gjithë, duke filluar nga bashkëpunëtorët, dhe nuk pritet që Tare sot t’i tregojë ke ka pasur ai pranë.
Punën e vërtetë ky grup e ka bërë në heshtje duke i shërbye kulturës shqiptare, lidhjeve me komunitetin arbnor në Itali dhe krijimit të një modeli teorik të politikës dhe institucioneve të ardhshme të Shqipnisë së neserme të lirë. Dhe mendojmë, se ai model ka qenë më i besueshmi për kanceleritë e interesuara për ndryshimin e situatës politike në Shqipëri, me të cilat Ernesti ka mbajtë kontaktet prej lideri të besueshëm dhe serioz dhe jo si informator i rëndomtë.
Por, në emigracionin shqiptar në Itali ka mbisunduar përçarja dhe konsumimi i pafrytshëm me intriga kundër njeni- tjetrit, ndërkohë, që Enver Hoxha grinte popullin brenda Shqipnisë. Shkaqet e ngatërresave në të djathtën shqiptare në emigracion janë, sipas këndvështrimit tim, komplekse, jo vetëm agjenturore, por së pari të lidhura me natyrën e shoqnie të paunifikueme prej historisë, botkuptimeve të ndryshme në vendet e origjinës, interesave të ndryshme shoqnore, edukatës mjaft diverse mes zonave rurale dhe atyne qytetare, diferencat mes qyteteve dhe brenda qyteteve, mbi të gjitha kultura. Varfnia në emigracion i ban njerezit meskinë, shpifës, smirzinj, sidomos kur lideri nuk arrin t’ua plotësojë të gjithëve nevojat dhe dëshirat.
Viti 1955 është një vit sulmi ndaj Bllokut prej anëve të ndryshme të emigracionit. Në një letër të shkruar me 9 korrik 1955 mësojmë, se në shenjëstër të sulmeve kundër Bllokut nga ana e elementëve të ndryshëm të mërgatës shqiptare ka qenë Ernesti:
Ernesti shkruan këto dite. “Përditë shtohen ata që më sulmojnë. Zyret italiane, amerikane, ingleze, vatikane etj., janë plot (kam prova) me raporte sidomos kundra meje: mason, aventurjer, agjent zyresh sekrete, çarlatan etj., Nji amerikan tash nja dy muaj me tha: “E din pse shumica e shqiptarvet ju lufton? Pse s’munden me ju kuptu, tue kenë ju, për sa marr vesht vetë, ma i oksidentalizuemi ndër shqiptarë” Kjo cilsi s’asht vetëm e imja; asht e të gjithë shkodranvet. Ai amerikani me njifte vetem mue, por të kishte njoftun Dom Lazrin, Pader Benardinin, ty Karl, etj, do të kishte dhanë nji gjykim ma kolektiv. Duket se jemi ndryshe prej tjervet, Karl I dashtun, e ata burrnin t’onë e kanë mëni si mzati pecën e kuqe.” (Letërkëmbim në Mërgim Vellimi i parë. arkivi i autorit).
Përgjigja, që Koliqi dhe rrethi i tij elitar i paarritshëm intelektualisht, u ka dhanë sulmeve të turmave të ç’orientueme të shqiptarëve të emigracionit të formueme ndryshe nga Shkolla e Tij e Edukatës, Qytetarisë, Atdhetarisë, Idealizmit dhe Europianizimit ka qenë puna vetmohuese në Shërbim të Kulturës Shqiptare dhe ekspozimi në Kanceleritë e Vendeve Perëndimore të përfaqësueme në Romë i aspiratës së Rithemelimit të Shtetit të Lirë Konstitucional dhe Demokratik në Shqipninë e neserme të çlirueme nga okupacioni i kuq.
Revista “Shejzat” ishte udhërëfyesi kryesor i Shqipërisë së Idealeve të Rilindjes. Ishte “ nji gur i çmueshëm që iu shtue kunorës së Ernest Koliqit, si shkrimtar i radhës së parë të botës letrare shqipe”, si lider i emigracionit në Itali, por jo vetëm. Shejzat udhëhoqën fatin e Shqipërisë me urimin për ditë ma të mira. Bashkëpunimi i Camaj në këtë revistë ishte nji “lajmtar drite”,që konstrastonte me shterpësinë mendore të njërëzve që drejtonin atdheun amë nën pushtim. Dhe kur në vendin amë, po ndërtohej një jetë e re që nuk ishte e jona, se larg kishte qillue prej Arbnisë, Martin Camaj me vepren e tij e gjente landen nga kujtimi i dikurshëm i jetës shqiptare, sepse ajo mbetej përherë e re, mbasi ndrynte brenda cilësi që nuk njihshin mort.
Dhe për ta përmbyllë me një ilustrim këtë që them, po paraqes një interpretim të Karl Gurakuqit ndaj një përgjigjeje të heshtun dhe të ditur, që Ernest Koliqi i jep ndaj sulmuesve, me rasën e botimit të librit të hartuar nga ai. Kjo përgjigje vlen edhe për zotin Tare, qi ka hy ndër do punë të thella:
“Poesia Popolare Albanese: Libri yt i porsadalun, nji xhevahir i shpirtit shqiptar…
“Qejt lehin e karvani ecë! Kështu kanë pas thanë ata qi kanë dijtë ma shumë se na. Eh po! Ka asish, qi nuk e kanë ngjye kurrë pendën në ngjyranë, e kanë sy e faqe të ngrehen si gjelat në pleh, e të përbuzin ata qi dijnë ma shumë, qi kanë dhanë ma shumë, qi e kanë shkri krejt jetën e vet për nji ideal, qi, të frymëzueme nga ndiesi të pastra, kanë shkelë interesat e veta vetjake në dobi t’atyne të kombit. Lehin të pandërgjegjshmit e ata qi a kan fytyren si shuell këpuce., qi siellen si kallami kah të fryjë era, qi s’kanë nji përsonalitet të vetin e qi kurr s’e kanë ngrejtë prej toke nji ashkël pa pasë ma përpara sigurime të plota për të fry xhepin.
Jemi larg, shumë larg, more Ernest: na në nji skaj dhe ata në skajin e përkundërt; na të rritun në rrethana të pastra kur cilsit e bukura shqiptare drejtojshin jetën e popullit; këta nuk u a dijnë shtëpin burrnis, nderit e besës arbnore”. /Nga Romeo GURAKUQI/