Një sasi prej rreth 50 gram tritol dyshohet është vendosur nga dy persona ende të paidentifikuar në automjetin e kreut të PD-së në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca, në orët e para të mëngjesit të së martës (11 prill).
Raportohet se deri tani janë shoqëruar 6 persona, por ende nuk ka asnjë të ndaluar si i dyshuar për ngjarjen e rëndë.
Burime pranë policisë shprehen se kjo mbetet e vështirë për shkak të shpërthimit me tritol dhe faktit që gjurmët mund të jenë zhdukur.
Përveç kamerave të sigurisë të banesës së Bernard Ndrecës, policia ka sekuestruar edhe kamera të tjera në fshatin Paçram. Por identifikimi i autorëve është i vështirë për shkak se nuk ka kamera sigurie në gjithë territorin.
Sipas hetimeve të deritanishme, dyshohet se autorët kanë ruajtur deri në mëngjes dhe kanë bërë shpërthimin e telekomanduar. Benard Ndreca ka shpëtuar pa lëndime nga ky shpërthim për shkak se tritoli i vendosur në automjetin tip Audi kishte rënë në tokë duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Dy autorët kanë mbërritur në banesën e Ngrecës rreth orës 1:15 dhe kanë vendosur lëndën plasëse poshtë mjetit.
Shpërthimi ka ndodhur orës 6:30 kur kreu i PD-së në Vaun e Dejës po nisej për punë. Sapo ai ndezi makinën dhe eci pak metra mjeti u hodh në erë.
Në kamerat e sigurisë së banesës së tij, shihet tym e flakë ndërsa dëgjohet shpërthimi i fuqishëm. Fatmirësisht Ngreca nuk ka marrë lëndime. Ndërsa mrekullisht ka shpëtuar edhe nëna e tij, e cila ndodhej shumë pranë mjetit.