Autostrada Adriatiko- Joniane një vendim me rëndësi strategjike për Ballkanin Perëndimor fillon në Muriqan të Shkodrës dhe përfundon në Kakavijë. Por qeveria shqiptare, e ka busullën në drejtim të kundërt, kur përmendet Veriu, e në veçanti Shkodr dhe ndërtimin e autostradës nuk e ka filluar nga Muriqani.
Projekti për përgatitjen e Projektit Preliminar dhe Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social për segmentin Muriqan – Balldre (Lezhë) të Korridorit Adriatiko-Jonian, ka filluar më 15 dhjetor 2021.
Me 2 gusht 2022, kur po prezantohej nisja e projektit të autostradës Adriatiko-Joniane, zv.kryeministrja, për segmentin e parë të këtij korridori Muriqan -Miloti tha se “po presim projektimin”.
Në shkurt 2023, përfaqësuesit e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, po prisnin projektin që të bënin vlerësimin.
A kemi besim që ky projekt do të përfundojë në fund 2023? Kur do të fillojë ndërtimi i këtij segmenti, duke patur parasysh lidhjen me autostradën e Malit të Zi dhe fluksin e lëvizjeve në këtë segment, sidomos gjatë sezonit veror?
Qeveria shqiptare, në kundërshtim me projektet e BE-së, ka synuar të japë me koncesione PPP që në vitin 2019, tre segmente të kësaj autostrade me një vlerë gati sa trefishi i përcaktimeve në studimin zyrtar të fizibilitetit të autostradës, Milot-Balldren, Thumanë – Kashar dhe Kashar – Rrogozhinë.
Projekti “Dhënia me koncesion të një segmenti rrugor Milot-Fier në Autostradën Adriatiko Joniane” e parashikuar në projektbuxhetin 2022, tashmë është zëvendësuar me 3 projekte të reja PPP (me pagese) si më poshtë:
a. “Për projektimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Thumanë” (pa T.V.SH.) me vlerë 5.3 miliardë lekë;
b. “Për projektimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Kashar – Lekaj” (Pa T.V.SH.) me vlerë 56.8 miliardë lekë;
c. “Për projektimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Lekaj – Fier” (Pa T.V.SH.) me vlerë rreth 38 miliardë lekë
Qeveria shqiptare në gusht 2022 riaktivizoi koncesionin më partneritet privat për ndërtimin e 21 kilometrave nga Thumana në Kashar me vlerë 1.3 miliardë euro pa TVSH të ardhura për koncesionarin.
Sipas listës së BE, autostrada me gjatësi 256 kilometra në territorin, shqiptar kushton 2,6 miliardë euro gjithsej, ndërsa qeveria shqiptare nëpërmjet formës koncensionare ka kontraktuar ndërtimin e 20 kilometrave për 1.3 miliardë euro përfshirë mirëmbajtjen për 35 vite.
Tarifa që do të paguhet nga automjetet nuk do të jetë më pak se 2.1 euro, pa TVSH.
Në shkurt 2023, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli ofertat fituese për dy koncesione të tjera të rrugëve dhe konkretisht për Kashar- Pezë- Lekaj dhe Milot-Thumanë. Vlera potenciale e investimit është rreth 520 milionë euro pa TVSH.
Tarifa që do të paguhet pwr kalimin nga automjetet për çdo kilometër përllogaritej në rreth 60 cent. Ndërkohë që për aksin tjetër Kashar- Lekaj, përllogaritej që vlera e tarifës të jetë mesatarisht 3.2 euro.
Sipas publikimit të Komunitetit Europian të Transportit, afatet e ndërtimit të segmenteve variojnë nga viti 2028 deri 2040. Prandaj durim…! Por deri kur…?! /Nga Emilia KOLIQI, deputete e Shkodrës, publikuar në Facebook/