Është fat ta kesh njohur Profesor Hamit Boriçin! Unanimisht, konsiderohet “babai” i gazetarisë shqiptare. Një kafe me Profesorin, është më e vlefshme se një muaj leksione. Jo vetëm për gazetarinë por për jetën dhe qasjen ndaj saj në situata të ndryshme.
Sigurisht, nuk është aspak e nevojshme të prezantohet. Kush nuk e njeh brenda e jashtë vendit, kush nuk flet me superlativa me respekt të pamatë për të. Dinjitoz deri në ekstrem, edhe në situata që njerëzit e zakonshëm do ti thyenin.
Optimist por edhe i matur si ai, dijeplotë i gjithanshëm por edhe modest për të dëgjuar çdo argument, edhe nga një njeri që e takon për herë të parë. Një familjar i rrallë, prind dhe gjysh që do ta dëshironte çdokush pjesë të familjes së vet.
I qetë por edhe “i rrëmbyer” në gazetari, një person unik që historia do të vonojë t’ ja sjellë një të dytë Shqipërisë e shqiptarëve. Mbështetës i palëkundur i të rinjve, promovues i vlerave të gazetarisë por më shumë të jetës.
Në këtë përvjetor të ditëlindjes, mund të shkruash shumë e shumë për Profesorin. Megjithatë, në fund dua ta mbyll me një aspekt të tij, i cili nuk është tjetërsuar asnjëherë. Fjalori Enciklopedik “Gazetarë dhe Publicistë Shqiptarë”, i vetmi deri tani i këtij lloji, përgatitur me profesionalizëm nga Profesor Hamit Boriçi, ka si botues Unioni i Gazetarëve të Profesionistë të Veriut (me qendër në Shkodër), sepse ishte dëshira e këmbëngulja e tij që të mbante “vulën” e vendlindjes.
Ka marrë qindra çmime, kombëtare e ndërkombëtare por përjetoi emocione të papërshkruara kur u nderua me “Mirënjohje” nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës. Edhe 100 vite Profesor, të paçim sa më gjatë në mesin tonë, vlerë e padiskutueshme e Shqipërisë e shqiptarëve! /Nga Blerti DELIJA/