Partia Socialiste nuk do e përjashtojë nga grupi parlamentar Ornaldo Rakipin me argumentin se përgjegjësia është personale.
Pas përfundimit të mbledhjes së PS-së, disa deputetë konfirmuan për Euronews Albania se deputeti do të vijojë mandatin e tij pavarësisht se SHBA-ja ka ndërmarrë sanksione ndaj të atit.
“Nëse ka diçka që ne si familje politike dallohemi nga të tjerët është se kurrë nuk kemi përdorur standarde të dyfishta. Qëndrimi ynë është i njejtë gjithmonë dhe ne i respektojmë vendimet e Shteteve të Bashkuara, aleatit tonë strategjik,” – u shpreh Balla.
Deklarata e kreut të grupit parlamentar të PS-së sqaroi se ata mbështesin vendimin e SHBA-së për Aqif Rakipin, ndërsa i biri nuk ka pse të mbajë përgjegjësi për këtë.
Aqif Rakipi, ish-deputet i PDIU është në mesin e 7 personave të tjerë nga Ballkani Perëndimor të shpallur të padëshiruar.
Që prej 11 prillit ai bashkë me Ylli Ndroqin u futën në listën e zezë të DASH-it me argumentin se janë “kërcënim serioz për stabilitetin dhe demokracinë në rajon”.