Në Mal të Zi nesër mbahet balotazhi i zgjedhjeve presidenciale, në të cilat presidenti ne detyre Milo Gjukanoviç përballet me një sfidë të fortë nga ekonomisti Jakov Milatoviç, i arsimuar në Perëndim, i cili ka premtuar një fillim të ri pas një viti ngërçi politik. Asnjëri prej tyre nuk arriti të siguronte 50 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve. Analistët thonë se edhe rezultati i balotazhit pritet të jetë i ngushtë.
Milo Gjukanoviç, 61 vjeç, ka dominuar Malin e Zi si president apo kryeministër për 33 vjet, që nga fillimi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Kundërshtarët e kanë akuzuar atë dhe partinë e tij për kapje të republikës së vogël ballkanike, akuza që ata i mohojnë.
Rivali i tij në balotazhin që do të mbahet nesër është 37 vjeçari Jakov Milatoviç, ish-ministër i ekonomisë dhe nënkryetar i lëvizjes Evropa Tani, e cila dëshiron lidhje më të ngushta si me Bashkimin Evropian ashtu edhe me Serbinë.
Gjukanoviç do të varet nga mbështetja tradicionale e pakicave, malazezëve që jetojnë jashtë vendit, partive pro-perëndimore dhe atyre që abstenuan në raundin e pare të zgjedhjeve.
Gjatë fushatës Presidenti në detyrë i Malit të Zi bëri thirrje për vazhdimësi.
“Ne duam të vazhdojmë të jemi një shtet multietnik, multifetar, multikulturor, që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së”, tha ai.
Kundërshtarët e akuzojnë zotin Gjukanoviç dhe partinë e tij Demokratike të Socialistëve të qendrës së majtë për korrupsion, nepotizëm dhe lidhje me krimin e organizuar në vendin me rreth 620 mijë banorë. Zoti Gjukanoviç dhe partia e tij i kanë mohuar këto akuza.
Jakov Milatoviç, i cili ishte ministër i ekonomisë në qeverinë që mori pushtetin pas protestave fetare pro-serbe në vitin 2020, bashkëthemeloi lëvizjen Evropa Tani në vitin 2022, duke u zotuar të frenojë korrupsionin, të sigurojë standarde më të mira jetese dhe të forcojë marrëdhëniet me Serbinë.
“Unë jam këtu për të udhëhequr Malin e Zi drejt suksesit, sepse për një kohë të gjatë ne jemi udhëhequr nga të pasuksesshmit”, tha zoti Milatoviç në një tubim fushate.
Banorët e Malit të Zi shpresojnë që zgjedhjet do të ndihmojnë në tejkalimin e ngërçit gati një vjeçar politik në vend.
“Shpresoj që qytetarët do të vendosin se na duhet një rrugë evropiane, sepse situata është vërtet e pasigurt dhe kemi perspektiva kontradiktore. Kjo është gjithçka që mund të them”, thotë Dragana Rijavsek.
“Ne jemi në një pikë kthese vendimtare tani, dhe ndërsa besoj se fillimisht gjërat do të përkeqësohen, pas kësaj besoj se do të shfaqen forca të caktuara që përfundimisht do ta shtyjnë Malin e Zi në drejtim të përmirësimit, që tani nuk mund ta shoh nga asnjëra palë”, thotë Dushan Pejoviç.
Zoti Gjukanoviç mori 35.37% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve më 19 mars, ndërsa zoti Milatoviç 28.92%, duke e dërguar vendin në balotazh pasi asnjëri prej tyre nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme prej 50% të votave. Analistët thonë se rezultati i balotazhit pritet të jetë i ngushtë. /VOA/