Në një nga qendrat rinore në Shkodër, janë zhvilluar 4 përballje të kandidatëve për kryetar bashkie dhe të rinjve të Shkodrës. Kandidatët u pyetën nga të rinjtë se si do të përmirësojën infrastrukturën shkollore, si do të parandalojnë largimin e trurit, si do të incentivojnë bizneset e reja e deri tek problematikat e rehabilitimit të kafsheve të rrugës apo ndërtimit të korsive të bicikletave apo tualeteve publike.
Edhe Bardh Spahia, kandidati i “Shtëpia e Lirisë” për Bashkinë Shkodër, ka qenë pjesë e këtyre takimeve. Në një publikim në rrjetet sociale, Spahia përcjell këtë takim me disa foto dhe një mesazh të shkurtër:
“Si gjithmonë kënaqësi të jem mes të rinjve të Shkodrës. Pyetjet, diskutimet dhe sugjerimet tregojnë përgjegjësinë e përkushtimin e tyre për të sotmen e të nesërmen e bashkisë tonë.”, shkruan kandidati i “Shtëpia e Lirisë” për Bashkinë Shkodër.
Takime të tilla i sherbejnë shpalosjes së alternativave të kandidatëve në garë për Bashkinë e Shkodrës me 6 mars 2022, duke u vënë përballë grupeve të ndryshme të interesit apo kategorive sociale të interesuara për të marrë përgjigje për pyetjet e tyre.