Kryetarja e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë, Rudina Hajdari nga foltorja e Kuvendit në nisje të sesionit të ri parlamentar u shpreh se marrëveshja e Bashës me Kryemadhin për të djegur mandatet e bënë Edi Ramën perandor.
“Unë do të doja të ndaja fjalën time për prioritetet e grupit tim. Kjo qeveri është nga më skandalozet që ka parë vendi, kjo dëshmohet në raportet ndërkombëtare. Më lejoni të them se nuk ka asnjë dyshim se ne këtu kemi një nga korrupsionet më të larta. Jemi me një kryeministër që ka sjellë regres, një qeveri që nuk di të menaxhojë ekonominë e vendit. Nuk ka vullnet për të nxjerrë para përgjegjësi zyrtarët e lartë, apo për të hapur dosjet 339 apo 184, ato do të mbyllen dhe këta zyrtarë nuk kanë për të parë asnjë ndëshkim të dëshiruar nga shqiptarët apo ndërkombëtarët.
Skema e fundit e PPP-së mund të konsiderohet më korruptive. Kjo ka fundosur buxhetin e shtetit, është ndër më të rrezikshmet. Shqiptarët po largohen cdo ditë e më shumë, bandat kanë zaptuar vendin. Por kush është fajtor? Përpara 25 qershorit kishim një qeveri tranzitore dhe marrëveshje Rama-Basha. Kjo dështoi dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Kush e bëri Edi Ramën perandor, kjo ishte një marrëveshje tjetër mes Bashës dhe Kryemadhit. Ata kërkuan djegien e mandateve” tha ajo.