Nga Andi BUSHATI
Sado keq të jetë Edi Rama, sado që protestat si ajo e kuksianëve të nxjerrin në pah arrogancën e tij, sado që aksione si ato të biznesit të vogël, të vënë në dukje lidhjen e tij me oligarkët, sado që lajmet e kronikës së zezë të vërtetojnë kapjen e pushtetit nga krimi i organizuar, Lulzim Basha bën gjithmonë diçka më shumë për t’u shfaqur më shëmtuar në publik. Kështu ndodhi edhe këtë herë.
Një seri ngjarjesh të kohëve të fundit skicuan në sytë e gjithëkujt një kryeministër që nuk pyet për askënd, që u zhvat më të vobektëve edhe qindarkën e fundit, që të rrëmben me polici në mes të natës, që shkatërron si i do qejfi vlera historike dhe i varros ato nën betonin korruptiv të klientëve të tij. Pra shkurt, një autokrat të vetëkënaquar që drejton me veshët dhe sytë mbyllur.
Por, në vend që të përfitonte nga ky moment që në politikë nuk të vjen shpesh, në vend që t’a shfrytëzonte këtë rast për të treguar se ndan vlera dhe parime të ndryshme, Lulzim Basha, aty në ngastrën e tij të vogël, në opozitë, bëri ç’është e mundur për t’i thënë të gjithëve se ata janë njësoj.