Të gjithë mendojnë për Lulzim Bashën atë që tha Astrit Patozi se në këto ditë gushti është duke shijuar pushimet, pa pyetur për gjendjen katastrofike në të cilën e ka lënë partinë në të cilën është kryetar. Por kjo është pjesërisht e vërtetë. Basha është vërtet me pushime, por gjatë tyre është duke u marrë intensivisht me punë partie.
Basha është personi më i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën e ka sjellë PD-në. Nuk mund të thuhet se ai nuk ndjehet keq në pozitën e kryetarit të dështuar të partisë të cilën e ka shpënë nga humbja në humbje. Basha Basha është një qënie njerëzore, dhe sado i papërgjegjshëm që të jetë, ai nuk mund të mos e përjetojë të qenët kryetar humbës, si një përvojë të rëndë, shumë stresuese. Basha e kupton më mirë se të gjithë labirintin absurd ku ka hyrë duke u bërë kryetar i PD-së. Ai është i vetëdijshëm që pozita e tij do të bëhet edhe më absurd dhe më stresuese, pas humbjeve të sigurta në zgjedhjet e ardhshme vendore, në 2019 dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në 2021.
Basha do të donte të gjente një rrugëdalje nga kjo gjendje absurde. Ai do të ishte i gatshëm ta dorëzonte postin e kryetarit të partisë, dhe me këtë edhe partinë, por me dy kushte. Pikësëpari ai do të donte që të kishte garanci se nuk do të dënohej për veprimet e kundërligjshme që ka bërë në të kaluarën e tij si pushtetar. Gjithashtu, Basha do të donte që të nxirrte ndonjë përfitim financiar të fundit nga dorëzimi i postit të kryetarit. Pra, Basha është i gatshëm ta shesë postin e kryetarit të partisë.
Sa për procedurën e shitjes së postit, ky është një problem që mund të menaxhohet aq më tepër që ata të cilët do ta blenë postin e kryetarit e me këtë edhe partinë, do të investojnë para të madhe në këtë operacion. Do të sajojnë paraprakisht një pasardhës të Bashës, duke i bërë publicitet të madh në media. Do të sajojnë një kuvend (kongres) të partisë me delegatë të paguar. Pastaj, kur Basha të japë dorëheqjen do të bëhen zgjedhje në parti për kryetarin e ri ku do të fitojë njeriu i përzgjedhur paraprakisht për zëvendësues i Bashës.
Pas ofertës që i është bërë Bashës nuk qëndron Edi Rama. Ky i fundit është i kënaqur me partneritetin me Bashën që pas marrëveshjes së majit. Ramës i vjen për mbarë ta ketë Bashën si vasal politik. Por në lojë ka hyrë Erion Veliaj, i cili ka aktivizuar mbështetjen ndërkombëtare që ka, si dhe disa biznismenë pranë tij, për t’ ia blerë Bashës partinë dhe për të prishur kombinacionin Rama-Basha. Veliaj kërkon ta përdorë PD-në kundër Ramës.
Bashës tashmë i është bërë oferta dhe në këto ditë të nxehta gushti po bën negociata për këtë gjë, në ndërkohë që po bën pushimet. Basha dëshiron ta shesë postin e kryetarit të partisë dhe me këtë edhe partinë që para zgjedhjeve vendore të vitit 2019, kuptohet me çmim më të lartë. Nuk dihet sesi do të përfundojë kjo histori, por një gjë është e sigurt: PD është në shitje./Shkruar për CityNews