Shpotisë së vazhdueshme të Edi Ramës në parlament, herë kur i përmend Foltoren, herë kur përmend Berishën, herë kur i kërkon të distancohet nga fjalori i ashpër dhe të jetë origjinal e kanë ngacmuar Lulzim Bashën, që për të dytën seancë radhazi ka dalë mbi fjalimet monotone debateve parlamentare. Në përgjigje të kunjave të kryeministrit, kreu i PD-së Lulzim Basha sulmoi për herë të parë Ilir Metën, por edhe barazoi Berishën me Ramën.
Basha i vuri të tre në të njëjtin kamp, Berishën, Metën dhe Ramën duke i quajtur “trekëndëshi i Bermudës”, të tre me të njëjtin hall sipas tij.
“E ke hallin ti te Partia Demokratike? Ke hall ti se sa demokratë mbledh unë? Të ka marre malli ty? Thuaje më ka marrë malli për Sali Berishën dhe Ilir Metën. Thuaje ta dëgjojnë të gjithë.
Shko dhe ti në Foltore zotëri ose fillo Foltoren tënde. Bëni trekëndëshin e Bermudës dhe qani hallet bashkë të tre, nëse i keni të njëjtat. Unë jam këtu për të qarë hallet e shqiptarëve, as të tuat as të Sali Berishës, as të Ilir Metës. As të atyre qe iu rrinë nga mbrapa ju. Ti të paktën dil hapur! Mos u fshi. A do ta plotësojnë demokratët ty deshirën të na kthesh pas? Të jesh i sigurt që jo, s’kanë për të ta plotësuar” tha Basha, duke folur me vetësiguri kundër Ramës, që siç tha më pas, vinte nga fitorja që kishte arritur në vitin 2011 për Bashkinë e Tiranës.
“Mua do më kesh përballë, jo Sali Berishen, unë që të munda në 2011 dhe ta mbusha gropën e Hajdin Sejdisë, ta zhduka parfumin Sejdia nga qendra e Tiranës dhe aty doli pastaj që nuk ishte bashki, por ishte bankomat. Ti e di vetë ku u arratise 3 jave, deri sa more veten për t’u rikthyer e di dhe une se ca miq i ke ti, por ca miq i kam edhe unë. Nëse të dukem i fortë është problemi jot, i dobët s’kam qenë ndonjëherë” tha Basha.
Deklaratat i hedhin benzinë zjarrit të polemikave që ka përfshirë opozitën pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Më herët, Presidenti Ilir Meta e ka shfaqur hapur simpatinë, me të cilën e sheh Foltoren e Sali Berishës.
“Zoti Berisha nuk mund të rri pa e thënë, është si vera. Sa më shumë kohë që kalon aq më shumë tërheqës bëhet. Aq më shumë demokrat bëhet” u shpreh ai së fundmi në lidhje me lëvizjen që Berisha ka nisur brenda Partisë Demokratike.
Në të njëjtën kohë, qasja e Metës ndaj Ramës ka ndryshuar në mënyrë drastike, krahasuar me periudhën para zgjedhjeve. Pas rezultatit të 25 Prillit, ai nuk përsërit më akuzat e forta ndaj Ramës, dekretoi qetësisht qeverinë e re dhe së fundi dha pëlqimin për qindra miliona euro borxh që mori qeveria.
Kur parlamenti i ri u konstituua, marrëdhëniet mes PD dhe LSI ishin të ngrira. Me deputetët që kishte në dispozicion, Monika Kryemadhi nuk krijoi dot një grup parlamentar. LSI la të kuptohet se nuk pati asnjë kërkesë për ndihmë drejtuar PD-së. PD nuk pati asnjë nismë për të ndihmuar LSI-në.
Ndërsa iu mohua fjala në kuvend, sepse po fliste Rama dhe Basha, numri dy i LSI-së, Petrit Vasili e quajti debatin mes tyre një “tango”.
“Kjo sallë do funksionojë me rregullat që kemi vendosur këtu, apo është pronë e çdo lloj tangoje politike, që ka kohë të tjera për t’u bërë?” u shpreh Vasili. Pas një rezultati katastrofal në 25 Prill, për LSI kanë humbur edhe privilegjet që të jep pasja e një grupi parlamentar. /Lapsi.al/