Ish kryetari i Bashkisë së Vorës Agim Kajmaku u kap me 20 kg kokainë në Itali brenda vazove me lule që bleu për biznesin e tij. Arrestimi nga autoritetet italiane e bën Kajmakun dhe të afërmit e tij automatikisht subjekt të ligjit anti-mafia, për verifikimin e pasurive nëse janë produkt i aktiviteteve të paligjshme apo me burime të ligjshme.
Po cila është pasuria e deklaruar nga Agim Kajmaku dhe bashkëshortja e tij Merita Kajmaku, pasuri e cila mund të jetë objekt verifikimi nga prokuroria?
Bashkëshortja e Agim Kajmakut, Merita Kajmaku, përpos të tjerave deklaron në vitin 2019 rreth 1.9 milionë USD, në formë obligacionesh në banka, me burim të pretenduar kursime familjare si dhe të ardhura nga biznesi. Kjo është deklarata e parë dhe e fundit, pasi Kajmaku u shkarkua disa muaj pasi u zgjodh kryebashkiak i Vorës.
Merita Kajmaku deklaron edhe një apartament në Tiranë me sipërfaqe 114 m2 si dhe dy garazhe, me vlerë 128 mijë euro. Si burim të kësaj pasurie deklaron kursime familjare dhe të ardhura nga biznesi.
Me të ardhura nga biznesi, Merita Kajmaku i referohet kompanisë ‘A.M.E 2020’, me objekt prodhim, rritje dhe tregtim të farërave, luleve, fidanëve, pemëve të ndryshme etj. Kompania është themeluar në vitin 2008 me kapital 100 mijë lekë, ku 49 % të aksioneve i kishte Agim Kajmaku dhe 51 % Merita Kajmaku.
Në korrik të vitit 2019, para se të merrte mandatin si kryebashkiak, Agim Kajmaku ia shet 49 % të aksioneve bashkëshortes së tij për 100 mijë USD.
Ndërkaq, vetë Agim Kajmaku deklaron një ndërtese dykatëshe me sipërfaqe 92 m2 dhe truall me sipërfaqe 300 m2 në Vorë, me vlerë 37 mijë USD, tokë arë me sipërfaqe 5 875 m2 në Vorë me vlerë rreth 33 mijë USD, apartament 72.2 m2 në Kavajë me vlerë rreth 23 mijë USD,
Ndërtesë 346.5 m2 dhe truall 2 100 m2 deklaruar në vlerë 1 000 000 lekë ose 10 mijë USD, por që dyshohet se ka një vlerë qindra mijëra USD. Gjithashtu, Agim Kajmaku deklaron llogari bankare 192 mijë euro si dhe 6.1 milionë lekë ose rreth 60 mijë USD. Deklaron edhe një makinë Audi Q7 me vlerë 35 mijë euro.
Të gjitha këto pasuri, Agim Kajmaku thotë se i ka krijuar nga kursimet familjare si dhe nga të ardhurat nga biznesit, pra nga kompania Kajmaku, me emër të ndryshuar në A.M.E 2020. A mund të që kjo kompani të ketë gjeneruar fitime në vlerë miliona euro? Përgjigja u mbetet organeve ligjzbatuese shqiptare.