Situata e pandemisë në vend, ka sjellë ndryshimin e qasjes së qytetarëve por edhe institucioneve. Prej disa muajsh tashmë, maska është bërë e pandarë në shumicën e ambjenteve të mbyllura dhe zyrave shtetërore. Po kështu, janë marrë masa për respektimin e distancimit social edhe në plazhe e zona të tjera turistike. Në këtë kuadër, janë anuluar edhe mjaft aktivitete publike tradicionale.
Bashkia Malësi e Madhe ka njoftuar anulimin e dy aktiviteteve tradicionale, të përvitshme si “Logu i Bjeshkëve” dhe “Festa e Reçit”, kjo e fundit, traditë që daton edhe para vitit 1990. Në njoftimin e Bashkisë Malësi e Madhe në faqen zyrtare në Facebook, lexohet:
“Të nderuar qytetarë!
Nisur nga situata pandemike Covid-19 në Shqipëri dhe në botë si dhe në zbatim të të gjitha rregullave dhe udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë ju njoftojmë se aktivitetet “Logu i Bjeshkëve” dhe “Festa e Reçit” nuk do të organizohen. Ky vendim është marrë duke zbatuar plotësisht udhëzimet e OBSH dhe Qeverisë Shqiptare si dhe duke respektuar të drejtën e popullatës për të qenë të sigurtë. Urojmë që kjo situatë të përfundojë sa më shpejt dhe të gjithë ne t’i rikthehemi normalitetit.”. /ShkodraWeb Media/