Emergjenca shëndetësore e krijuar nga pandemia e virusit korona, po shoqërohet edhe nga emergjenca për ushqimet bazike për shumë familje. Ndërsa deri në këto momente zyrtarisht Malësia e Madhe nuk ka raste të të infektuarëve me virus, problemet me materialet kryesore të jetës së përditshme, ndjehen për mjaft familje. Mbyllja e fronteve të punës por edhe kufizimi i lëvizjeve, sidomos për familjet pa të ardhura dhe ato në vështirësi sociale e ekonomike, ndjehen.
Për të zbutur pasojat e kësaj situate, Bashkia e Malësisë së Madhe ka nisur dhe vijon shpërndarjen në territor rë ndihmave ushqimore. Ditët e fundit në fokus kanë qenë fshatrat Goraj-Budishe, Bratosh, Rapshe dhe Stare; Njësia Administrative Shkrel dhe fshtrat Vukël dhe Nikç të Kelmendit. Në vëmendje janë kryesisht të moshuarit pa mbështetje por edhe familjet që kanë mungesë të ushqimit të përditshëm. Bashkia Malësi e Madhe do të vazhdojë ndihmën deri në përfundimin e plotë të situatës së Fatkeqësisë Natyrore dhe rikthimit të normalitetit.