Bashkia e Shkodrës është pjesë e projektit- pilot “Bashki me Energji Inteligjente” i mbështetur nga Qeveria e Zvicrës. Sot kryetarja e Bashkisë Shkodër znj. Voltana Ademi ka nënshkruar Marrëveshjen e financimit me Sekretariatin e Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Është një projekt shumë i rëndësishëm që stimulon përdorimin efikas të energjisë, që do të zbatohet fillimisht në 4 bashki të Shqipërisë, bashki të përzgjedhura pilot, për tu shtrirë më pas edhe tek të tjerat.
Marrëveshja e nënshkruar sot ka si objektiv financimin e projekteve- pilot për ndriçimin publik për një pjesë të rrugëve kryesore në qytetin e Shkodrës si dhe dhënien e asistencës teknike në kuadër të projektit “Bashkitë me Energji Inteligjente”.
Objektivi i këtij projekti është të japë kontribut:
▶️ për zhvillimin e ekonomisë me normë të ulët karboni,
▶️ përmirësimin e cilësisë së jetës dhe uljen e ndotjes së mjedisit.
Për arritjen e këtij objektivi, projekti do të mbështesë Shqipërinë për përmirësimin e kuadrit të vet për menaxhimin e energjisë duke pilotuar dhe zgjeruar më tej një sistem bashkiak për menaxhimin e energjisë që bazohet në instrumentet dhe metodologjinë e Çmimit Evropian për Energjinë.
Së dyti, projekti do të rrisë kapacitetet e institucioneve kyçe në fushat e menaxhimit të energjisë dhe përgatitjes së projekteve infrastrukturore bashkiake të suksesshme.
Projekti do të lehtësojë qasjen në financim për Bashkinë Shkodër në terma afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, sipas një përqasjeje të bazuar në performancë.
Pas nënshkrimit të kontratës, znj. Ademi ka falenderuar Qeverinë Zviceriane, për mbështetjen e vazhdueshme për Bashkinë e Shkodrës përmes projekteve me impakt të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të administrimit në qeverisjen vendore. /Publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër në Facebook/