Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti- Skenderbeu” Bashkia Shkodër dhe Muzeu Historik i Shkodrës kanë çelur siparin e aktiviteteve. Në mjediset e Pinakotekës në Muzeun Historik të Shkodrës, është promovuar “Ekspozitë artefaktesh kastriotiane” nga koleksionisti i apasionuar Gjergj Marena. Në ceremoninë e rastit ishin të pranishëm nënkryetarët e Bashkisë Shkodër zj. Emi Koliqi dhe z. Fatbardh Sheqi, drejtorja e Kulturës Terezina Hila, personalitete të artit dhe kulturës, qytetarë të Shkodrës.
Pas fjalës së rastit të drejtorit të Muzeut z. Fatmir Juka, në emër të Bashkisë Shkodër dhe kryetares zj. Voltana Ademi ka përshëndetur zj. Emi Koliqi. Pasi ka falenderuar koleksionistin z. Gjergj Marena për punën me përkushtim, ajo ka sigurur se ky është vetëm fillimi i aktiviteteve në kuadër të këtij viti jubilar në nderim të Gjergj Kastriot- Skenderbeu, ku Bashkia do të ketë një fokus të veçantë.
Koleksionisti z. Gjergj Marena, pas një fjale të shkurtër, në rolin e ciceronit, ka shpjeguar për të pranishmit domethënien dhe origjinën e 25 artefakteve të ekspozuara. Ekspozita është e hapur tashmë për të githë dhe natyrisht, është një kënaqësi të vizitohet. Hapja e ekspozitës së sotme përkoi edhe me përvjetorin e vdekjes së Heroit tonë kombëtar. /Marrë nga faqja zyrtare ne Facebook e Bashkisë Shkodër/