Bashkimi Evropian do të dërgojë në Ukrainë tableta të jodurit të kaliumit që përdoren kundër ekspozimit ndaj rrezatimit në rast të rrjedhjes bërthamore.
Sipas një deklarate nga Komisioni i BE-së, për shkak të zhvillimeve përreth centralit bërthamor në Zaporizhzhia nën kontrollin e Rusisë, qeveria e Ukrainës më 26 gusht i ka kërkuar BE-së tableta të jodurit të kaliumit me qëllim për të rritur masat e parandaluese të sigurisë. Edhe BE-ja në përgjigje të kësaj kërkese njoftoi se do të dërgohen gjithsej 5,5 milionë tableta të jodurit të kaliumit përfshirë 5 milionë nga rezervat e situatës emergjente në Gjermani dhe 500 mijë nga Austria.
Tabletat përdoren për të parandaluar thithjen nga tiroidet të jodit radioaktiv të gëlltitur ose të thithur. Centrali Zaporizhzhia që ndodhet në juglindje të Ukrainës cilësohet si centrali më i madh në Evropë. Centrali ka gjashtë reaktorë bërthamorë, një kapacitet për prodhimin e energjisë elektrike prej 5.700 megavat-orë dhe plotëson 20 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në Ukrainë. Rusia mori nën kontroll centralin me operacionin tokësor që zhvilloi më 4 mars.
Përreth centralit i cili aktualisht ndodhet nën kontrollin e ushtrisë ruse, po përjetohen sulme ajrore. Ukraina dhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën lidhur me çështjen e këtyre sulmeve. BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar që ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) të vizitojnë centralin dhe të kryejnë inspektime.
Zyrtarët ukrainas dje njoftuan se ekspertët janë nisur drejt centralit. Edhe administrata e SHBA-së ka vënë në dukje se Rusia ka grumbulluar ushtarë përreth Zaporizhzhias dhe ka kërkuar që të mos pengohet qasje e ekspertëve në rajon.