Trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli, nuk është kursyer në kritika pas humbjes së skuadrës së tij përballë Kukësit në transfertë. Ai kishte kritika sidomos për lojtarët e tij, duke e cilësuar papërgjegjshmëri totale atë që bënë lojtarët e tij para portës.
“Ajo që nuk është se shkoi është që e gjithë kronologjia e ndeshjes, çdokush mund të bëjë analizë, por po e nis nga rastet e krijuara që mund të jenë më shumë se 10. Skuadra kur humbet shumë para portës, bie niveli i besimit jo vetëm në skuadër, por edhe te individi. Të krijosh kaq shumë në një fushë si kjo në Kukës që nuk ka parametrat e duhur për të luajtur futboll, është tepër. Por edhe e papranueshme në të njëjtën kohë, si mund të humbasim ato raste? Po e përkthej në papërgjegjshmëri totale. Detyra ime si trajner është të marr përgjegjësitë, por edhe të çoj lojtarët te porta dhe janë ata që duhet të fusin topin në rrjetë, atë që bëmë në Korçë, e çbëmë totalisht sot.
Mos harrojmë që dy lojtarët që luajnë në krahët e mbrojtjes, nuk janë në pozicionin e tyre dhe në këtë drejtim nuk mund të shtyjmë dot me lojtarë me këmbën e kundërt të tyre, siç ishte Smajli në pjesën e parë e Sala në të dytën. Ajo çka vlen të theksohet, problemi nuk ishte se nuk shtuam forca më tepër, por që nuk shtuam përqendrimin para porte. Është një brez që jeton futbollin nëpërmjet Instagramit, të papërgjegjshëm.
Është ndryshe koha jonë kur e përjetonim dhe e jetonim si mundësi të artë që vinte një herë në jetë dhe mënyrë jetese që do na zgjidhte gjithë jetën para. Këshilla ime është të punojnë sa më fort. Nuk ka mundësi, nuk e perceptoj në trurin tim që Bekim Balaj stërvitet 33 vjeçar më shumë se një 17 apo 18 vjeçar.
E kam për rastin e Delajt? Jo, të tërë, të gjithë, Mala, Delaj, Alivoda… Nuk ka lidhje te Antonio se ai është djalë që po bën mirë, por të gjithë, të gjithë. Janë episode e janë raste që duhen përfunduar se kundërshtari rrit vigjilencën, një herë vjen e të shënon.
Gabonim në marrje, jo pasime, terreni ishte i vështirë. Nisur nga kjo fillon e hyn në çdo element dëshpërimi brenda, pse nuk e bëra mirë, pse nuk e mora mirë, e kërkon në mënyrë dëshpëruese.
Rastet i patëm deri në fundin e lojës dhe duhet t’i kishim përfunduar, nuk mundemi të presim çdo javë që të gabojnë kundërshtarët, por të aktivizojmë pjesën tonë psiqike si të bëjmë 30 metrat e fundit se skuadra po del. Se kur del skuadra, pjesa mbrapa humbet vigjilencën sikurse ndodhi te rasti i golit.
Kur nuk shënon kundërshtari mendon se duhet të marrë më tepër përsipër. Edhe pse ishte ndeshje me një episod, që në fillim, me Malën në dy pozicionet e tija me Smajlin, për të ardhur te fundi fare, te goditja e këndit që u gjuajt tre herë topi e nuk hyri. Këto ecin paralele, kundërshtari rritet, ti bie, e kërkon me ngulm pastaj edhe pse deri në minutë të 70 prodhuam e dolëm para portës. Janë raste që duheshin përfunduar dhe të tilla ndeshje si këto me këtë terren, duhet t’i zgjidhesh me kujdes, shënon e të ecësh përpara.
Ecuria e këtij kampionati, si e kam thënë në fillim, që nuk ka të vogla e të mëdha, në çdo ndeshje duhet bërë maksimumi sikurse sot nuk bënë maksimumin për të përfunduar të gjithë ato raste që na u dhanë.
Duhet një punë e madhe në terren, jo vetëm në 1 orë a dy si trajner, por vetë ata në mënyrë individuale duhet të shtojnë volumin para portës, sepse një praktikë e vazhdueshme është çelës i suksesit. Gjuajtjet, krosime e me radhe, finalizime që nuk vijnë vetëm nga ne edhe pse e kemi si detyrë, por edhe individi duhet të shtojë volumin e punës në terren.
Jam një njeri që marr përgjegjësitë e mia por çështja është që duhet të jemi pozitivë dhe të ecim me pozitivitet edhe pse sot dolëm nga një ndeshje ku duhej të kishim fituar. E thashë që çbëmë atë që bëmë në Korçë e duhet të ngrihemi të gjithë bashkërisht, se nëse do të fitonim sot, do të flisnim për skuadër me vazhdimësi. Kjo është ajo që na ka munguar këto 10 javë. Vazhdimësia. Këtë u thashë djemve, që nuk mund të bësh një fitore, një barazim, një humbje me radhë”, tha Memelli për “MCN” pas sfidës.