Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë së PD-së, kryedemokrati Lulzim Basha ka marrë një vendim të fortë, duke thirrur Kuvendin Kombëtar më 18 dhjetor, bëjnë me dije burime nga punimet e këtij forumi.
“Panorama.al” mëson se në fjalën e mbajtur sot Lulzim Basha ka deklaruar se nuk do të ketë kuvend kombëtar të PD me 11 dhjetor, duke iu referuar lëvizjes së ish-kryeministrit Sali Berisha.
Po ashtu Basha është shprehur se 11 dhjetori që është dita e lirisë dhe demokracisë nuk mund të shndërrohet nga Berisha në ditën e bunkerizimit dhe izolimit të PD-së.
Rendi i ditës i propozuar nga kryetari i PD Lulzim Basha:
I. Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
II. Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.
III. Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.
Mes disa pikave të draft vendimit për çështjen e organizimit dhe thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 18 Dhjetor ka edhe një pikë tjetër me rëndësi, që synon disiplinimin e strukturave. “Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike.”, -thuhet në pikën 3 të vendimit të propozuar nga kryetari i PD.
Fjala e Bashës
Për disa vendime të mijat, në pamje të parë, mund të duket se i turbullojnë demokratët, mund edhe t’ja arrini për një kohë të shkurtër, por demokratët kanë mençurinë për të dalluar të keqen nga e mira, për të dalluar ata që bëjnë sikur luftojnë, dhe ata që vërtetë janë në betejë me regjimin e Edi Ramës. Çfarë pune ka me PD, por nëse doni edhe me Sali Berishën:
Qifja, Suel Çela, Rrahman Rraja, Tom Doshi Shumë njerëz jo vetëm demokratët pyesin:
Çne këta me Kuvendin e Partisë Demokratike? Pse kaq të investuar këta për një akt të tille?
Shpjegimi është i thjeshtë: Disa duan të jenë faktorë në PD dhe të vijojnë aferat e tyre korruptive e kriminale me PD-në siç kanë bërë e bëjnë me PS e Ramës. Disa të tjerë, që presin të shpallen non grata, u intereson kjo përplasje për të mbrojtur veten e tyre. Të gjithë këta që përmenda në një formë a tjetër janë njerëzit e Ramës, i shërbejnë vetëm Ramës, nuk vrasin mendjen as shqetësohen që demokratët janë pa bukë, janë nën presionin e pushtetit, janë papunë.
U ka shkelur syrin Rama të futen në betejë nën flamurin e Berishës për të përçarë PD dhe zgjatur jetën politike të Edi Ramës. Kemi sakrifikuar shume për të mos e bere pis PD. Për ta mbajtur Partinë Demokratike të pastër nga krimi. S’ka për të ndodhur as tani, as sot dhe as nesër. Nuk do të ketë kuvend kombëtar të PD me 11 dhjetor. 11 Dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD, në ditën e izolimit të PD.
Ai dëshiron ta bëjë, sepse vetëm ashtu mendon se i shërben hallit të tij. Por detyra jonë është ti shërbejmë hallit të demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës.
Partia Demokratike e Shqipërisë do të përqendrohet tek ajo që kemi marrë përsipër: ti prijmë demokratët drejt qeverisjes së vendit, të mundim të vetmin kundërshtar që kemi Edi Ramën dhe të krijojmë një të ardhme për shqiptarët.
Për këtë arsye, për ti shërbyer demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës, i propozoj Kryesisë së Partisë Demokratike:
Thirrjen e Kuvendit Kombëtar me 18 dhjetor