Shkruan ne Facebook ish-kryeministri i Shqiperise Sali Berisha: Shqiperia ne flake, Noriega freskohet ne ujrat e Dhermiut!
Te dashur miq, me dhjetra e dhjetra vatra zjarri ne te kater anet e vendit po i vene flaken Shqiperise. Nga fshatra, qytete leshohet me te drejte SOS-i per ndihme nga kryeministri qe freskohet ne ujrat e Jonit.
Duhet thene se ndihme e vetme qe Noriega ofron ne kete situate emergjence eshte perjashtimi i plote i fjaleve “zjarr”, “flake” dhe “djegie” nga fjalori i llogorese se tij te perditshme ne mexhlise dhe media qe transmetojne edhe për-përet e tij!
E verteta eshte se kjo eshte nje vere e nxehte dhe thate por vendin po e ndez edhe me flake indiferenca kriminale e Norieges. Ka patur vite te tjera te thata dhe shume te nxehta me vatra te shumta zjarresh por vendet partnere dhe NATO iu pergjigjen emergjences se vendit me helikoptere te fuqishem per shuarjen e zjarreve.
Pervec ketyre, u kontraktuan nga qeveria avione te medhenj nga Ukraina per shuarjen e tyre dhe ne teresi u arrit kufizimi ne kohe dhe shuarja e tyre.
Ndersa sot, jo vetem qe nuk kontraktohen avione por as nuk blihen me urgjence kovat e medha te helikoptereve ushtarak qe u blene edhe per emergjenca te tilla, por ne vend te tyre kontraktohen helikoptere te vegjel nga kompani private qe mund te perdorin vetem kova te vogla me efekt te parendesishem.
Nderkohe per Noriegen pushimet vazhdojne sepse zjarret ne Shqiperi nuk ekzistojne!
Duke mbeshtetur te gjitha ata qindra e qindra qytetare apo dhe punonjes te emergjences civile e te tjere qe perballen kudo me kete emergjence te rrezikshme, denoj si cinik e te papergjegjshem qendrimin e Edvin Kristaq Rames!
Ketu me posht keni gjendjen aktuale te zjarreve qe po ndezin flake Shqiperine! sb
-“”Riaktivizohen vatrat e zjarrit në Tiranë, Berat, Gjirokastër. Rrezikohet ende Kisha e Shna Ndoit
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 13 vatra zjarri në disa qarqe të vendit. Emergjenca Civile njoftoi sot se janë riaktivizuar disa vatra zjarri si në Tiranë, Berat, Gjirokastër që ishin shuar më parë. Po ashtu, janë riaktivizuar edhe vatrat e zjarrit pranë Kishës së Shën Ndout në bashkinë Kurbin. Pak ditë më parë, zjarri që iu afrua vendit të shenjtë e aq shumë të vizituar nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, i ngriti në alarm këta të fundit që nuk reshtin duke e përhapur lajmin në rrjetet sociale dhe bërë apel, shtetit, për ndihmë. Por rreziku për kishën e famshme duket se ende nuk ka kaluar dhe një helikopter po vepron sot në zonë.
Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 128 punonjës zjarrfikës, 21 automjete zjarrfikëse, 215 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, dhjetëra vullnetarë si dhe punonjës të Pyjores, të Drejtorisë së Zonave të Mbrojtura, etj, të mbështetur dhe nga helikopterë. Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
QARKU DIBËR
Zjarri në fshatin Madhesh, bashkia Burrel, ka qenë aktiv duke rrezikuar dhe një banesë. Zjarrfikësit të mbështetur nga forca ushtarake kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë vënë situatën nën kontroll pranë banesave, por vatra e zjarrit vazhdon të jetë e ndezur. Në Zerqan, bashkia Bulqizë, kanë qenë aktive 2 vatra zjarri. Bashkë me zjarrfikësit janë angazhuar edhe forca vullnetare si dhe forca të shërbimit pyjor, të cilët po punojnë për të izoluar zjarrin në një terren të thyer malor.
QARKU LEZHË
Në Malin e Rrencit, Shëngjin, bashkia Lezhë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha. Zjarrfikësit së bashku me forca të ushtrisë dhe të bashkisë kanë shuar zjarrin. U dogj një sipërfaqe rreth 5 ha me shkurre dhe pisha. Janë riaktivizuar vatrat e zjarrit pranë Kishës së Shën Ndout në bashkinë Kurbin. Zjarrfikësit, së bashku me banorë të zonës dhe forca ushtarake kanë shkuar në vendngjarje, por për shkak të terrenit të thyer malor e kanë pasur të pamundur për të vepruar. Është ndërhyrë edhe me helikopter për të lokalizuar vatrat e zjarrit.
QARKU TIRANË
Në fshatin Mushqeta, në afërsi të Tunelit të Krrabës ka vazhduar puna e forcave zjarrfikëse për të shuar zjarrin e rënë në pyllin me shkurre dhe dushqe. Zjarrfikësit janë mbështetur edhe nga fora ushtarake si dhe një helikopter. Vatrat e zjarrit janë izoluar përkohësisht. Operacioni është në vazhdim. Zjarri i rënë në fshatin Cikallesh, bashkia Kavajë ka qenë aktiv edhe ditën e djeshme. Zjarrfikësit së bashku me banorë të zonës kanë shkuar në vendngjarje, por për shkak të terrenit të vështirë ka qenë e pamundur për të vepruar. Eshtë ndërhyrë me helikopter dhe vatrat e zjarrit janë ulur, ndërkohë vazhdon operacioni për shuarjen e zjarrit. Në Malin e Derjes pranë fshatit Shëngjergj të bashkisë Tiranë kanë pasur vatrat zjarri aktive. Zjarrfikësit, punonjës së Zonave të Mbrojtura dhe forca ushtarake kanë punuar për shuarjen e zjarrit, por ka qenë e pamundur shuarja për shkak të terrenit të thyer malor dhe erës. Pritet të ndërhyhet me helikopter.
QARKU ELBASAN
Në qytetin Librazhd ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Zjarrfikësit së bashku me 30 forca ushtarake kanë punuar për izolimin e vatrave. Zjarri është shuar plotësisht pas ndërhyrjes me helikopter. Në fshatin Gjinar, bashkia Elbasan ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë por për shkak të terrenit të thyer malor dhe sipërfaqes së madhe të zjarrit nuk është mundur që zjarri të izolohet. Janë dërguar në ndihmë edhe forcave ushtarake dhe operacioni është në vazhdim.
QARKU FIER
Në fshatin Ardenicë të bashkisë Lushnje ka rënë zjarr në shkurre dhe ullishte. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë dhe më pas me helikopter vatra e zjarrit është shuar plotësisht.
QARKU DURRËS
Në fshatin Kërtushaj, bashkia Durrës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha pranë zonës së banuar. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë dhe më pas me ndihmën e helikopterit zjarri është shuar plotësisht. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 ha me shkurre dhe pisha.
QARKU GJIROKASTËR
Në fshatin Jorgucat të bashkisë Dropull ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe kullotë. Në vendngjarje janë dërguar mjetet dhe zjarrfikësit bashkë me forca të ushtrisë dhe të bashkisë, por nuk kanë mundur ta shuajnë zjarrin. Operacioni është në vazhdim.
QARKU BERAT
Në Parkun e Bogovës, bashkia Skrapar, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer malor. Pritet që sot të futet në operacion helikopteri për shuarjen e vatrave të zjarrit.””/ShkodraWeb/