Trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, ka analizuar humbjen e thellë përballë Partizanit, teksa ka treguar se pse erdhi një paraqitje e tillë nga kuqeblutë. Gjithsesi, ai nuk heq dorë nga mendimi se skuadra do ët luftojë për vendet e kreut në renditje në të ardhmen.
“Mbledhja? Lojtarëve nuk u thashë kurrgjë, thjesht debatuam për lojën, për gabimet që bëmë.
Mendoj se momenti vendimtar i ndeshjes ishin golat në shtesën e pjesës së parë. Në fillimin e të dytës pësuam përsëri gol. Sa i përket ndeshjes, mendoj se ne në fazën mbrojtëse ishim çdo herë me vonesë në dyluftime, nuk kishim agresivitet, luanim ngadalë topin, pa pasime të sakta. Ndaj nuk krijuam shumë raste për shkak të këtyre problemeve që përmenda.
Edhe pse përmenda ndeshjen dhe humbjen e sotme, lëndimet bëjnë të vetën. Ndoshta pak edhe ndërrimi i trajnerit ndikon në këtë lojë. Por megjithatë, besoj që Vllaznia përsëri do të luftojë për kreun e tabelës.
Nëse analizojmë lojën me Erzenin, nuk bëmë shumë gabime në mbrojtje. Në atë ndeshje na mungonte pasimi i fundit ku duhej të finalizohej aksioni. Por megjithatë në minutë të 55-të e ndërruam sistemin për shkak të problemeve që tregova, me qëllim që të stabilizojmë lojën në mbrojtje dhe të jemi më shpejt me më shumë lojtarë në finalizimin e aksionit, nuk ia arritëm normalisht.
Vllaznia jo vetëm pas kësaj ndeshje, por edhe pas ndeshjes me Erzenin, vërejta dëshpërim. Duhet të punojmë në këtë drejtim dhe të jemi sa më të gatshëm që të presim ndeshjen me Laçin. Ana psikologjike bën të vetën”, tha Osmani për “MCN” pas ndeshjes.