Debati për veprimet dhe qëndrimet e figurave të njohura të historisë së Shqipërisë nuk ndalet. Personazhi më i lakuar ditët e fundit për shkak të risjelljes në skenë të komedisë “Prefekti i Tironës”, Qazim Mulleti, mbetet figura më e përfolur me shumë dritëhije.
Por në skenë është risjellë edhe figura e Enver Hoxhës, për shkak të 28-29 Nëntorit dhe statusit të deputetit socialist Bujar Çela, i cili e vlerësoi atë si një nga tri figurat e kombit, pa të cilët nuk do të kishte sot Shqipëri. Përveç Enver Hoxhës, Çela përmend Skënderbeun dhe Ismail Qemalin. Në debatin për ishprefektin e Tiranës, deputeti socialist, Erion Braçe, në një replikë me një prej pinjollëve të familjes Mulleti, tha se Qazim Mulleti, ishte prefekt fashist që bashkëpunonte me pushtuesin.
Por dje, Braçe postoi një dokument sekret të kohës, maj 1942, kur ishprefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, njoftonte Ministrinë e Brendshme se me kënaqësi njoftonte se ishte kryer ekzekutimi i tre antifashistëve në Tiranë. “Fashizmi nuk është opinion, as teatër, as komedi! Fashizmi është krim! Urdhëroni: kur pushkatoheshin antifashiste në Tiranë dhe prefekti kishte ‘nderin’ të raportonte kështu! Puthini dorën tani!”, shkruan Braçe.
Por historiani i njohur, Hasan Bello për një dokument tregon fytyrën e vërtetët të diktatorit Enver Hoxha, i cili një ndër vendimet e tij të para ka qenë pushkatimi i 6 klerikëve katolikë. Historiani shpjegon se ky është ndër dokumentet e rrallë kur diktatori firmoste vetë ekzekutimin e qytetarëve të tij, pasi më vonë ai do të jepte vetëm urdhra verbalë për ekzekutimin e personave që ishin kundër tij ose nuk i pëlqenin atij, pa lënë gjurmë në dokumente.
“Një shkresë që ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral kolonel Enver Hoxha ia dërgon Gjykatës Ushtarake në Shkodër më 2 mars 1946 ku aprovon dënimin me vdekje të 6 personave dhe 1 burgim të përjetshëm. Tre nga këta janë klerikë të njohur katolikë, njëri prej të cilëve, Pater Giovanni Fausti nga Breshia e Italisë. Në fakt ky dokument dhe pak të tjerë janë të rrallë ku diktatori ka firmosur, sepse me kalimin e kohës, ai do të sofistikohet, duke dhënë urdhra verbalë për të fshehur implikimin e tij të drejtpërdrejtë. Por nuk ka pasur ekzekutim, për të cilin, siç ndodh rëndom në do vend, ku kryetari i shtetit nuk ka dhënë miratimin e tij personal”, shkruan historiani i njohur Hasan Bello.