Situata aktuale në PD, duket se ka patur ndikim edhe në raporte normale, rutinë, siç janë shkëmbimi i urimeve për Krishtlindje apo Vitin e Ri. Nesti Kiri, ish- student i Dhjetor ’90. aktualisht antar i kryesisë së PD Shkodër por edhe drejtues institucionesh në nivel lokal gjatë qeverisjeve të demokratëve, e ka evidentuar këtë fakt përmes publikimit të disa rreshtave në Facebook.
“Sidomos për Krishtlindje por dhe vit të ri kemi shkëmbyer mesazhe urime me drejtues të PD Shkodër çdo vit. Këtë rradhë papritur nuk mora këto urime.
Dhe pse Berisha e Basha të paktën ashtu në grup mi dërguan të ty. Ndërsa në shkodren tonë, ditëzinj drejtuesa harrojnë se te jesh “foltorist” nuk do të thotë të mos jemi shokë, miq e shkodran.
Herë jam quajtur ky i Pollos, i Olldashit, Jozit por unë aty në PD prap mbeta. Shkëmbej urime dhe me të PS-së se jemi shkodran e asht vlerësim njerëzor. Gëzuar 2022!”, shkruan Nesti Kiri.
Është gjëja më normale të shkëmbesh mesazhe urimi, edhe me kundërshtarë politikë kur ke njohje apo komunikim me ta. Por “ftohja” brenda asaj që quhet “familje politike”, është e papranueshme. Aq më shumë të reflektohet në ditë festash të përbotshme.
30 vitet e fundit kanë treguar se “të mëdhenjtë” edhe pas betejave të ashpra politike, i kanë normalizuar marrëdhëniet mes tyre si të mos ishte asgjë. Por nga ana tjetër, ata pranë bazës së partive, i kanë ruajtur “të ngrira” për shumë vite. Madje, në disa raste vazhdojnë të jenë të ngrira, edhe pse liderët që mund të kenë mbështetur, janë në pension. /ShkodraWeb/